Bajraktari: Angazhimi i Presidentes është në përputhje me Kushtetutën, detyrat dhe përgjegjësitë e saj
Ardian Bajraktari, avokat në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me ftesën e Presidentes Vjosa Osmani për partitë, për gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga kriza dhe moskonstituimi i Kuvendit. Ai ka thënë se një angazhim në këtë fazë nga ana e Presidentes është në linjë edhe me detyrën dhe përgjegjësinë […]
Ardian Bajraktari, avokat në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me ftesën e Presidentes Vjosa Osmani për partitë, për gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga kriza dhe moskonstituimi i Kuvendit.
Ai ka thënë se një angazhim në këtë fazë nga ana e Presidentes është në linjë edhe me detyrën dhe përgjegjësinë kushtetuese që ka.
“Si rregull, natyrisht në këtë fazë nuk do të duhej të involvohej, mirëpo kjo është vetëm një rregull, nuk mund të quhet normë e pandryshueshme. Në këtë drejtim e shoh edhe involvimin e institucionit të Presidencës. Kam përshtypjen që mosangazhimi i saj deri tash ka qenë kryesisht për faktin që dëshironte të merrte, si të themi, sinjale prej përfaqësuesve të subjekteve politike, të cilat në një formë ose në një tjetër i ka marrë tashmë, edhe para ftesës së saj. Prandaj, e vlerësoj si një tentativë për të kaluar këtë situatë”, ka thënë ai.
Tutje, Bajraktari ka thënë se mbetet me shpresë që përfaqësuesit e partive politike do të reflektojnë lidhur me detyrimet e tyre, të përcaktuara si nga Kushtetuta, ashtu edhe nga aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Bllokime të tilla, natyrisht që nuk i konvenojnë askujt – as institucioneve, e mbi të gjitha qytetarëve. Prandaj, vlerësoj që më në fund, involvimi i institucionit të Presidentes është në pajtim me përgjegjësinë e saj.”
Tutje, ai ka thënë se roli dhe përgjegjësia kryesore i bie partisë fituese të zgjedhjeve.















