Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së mblidhen këtë të martë në Shkup – Në fokus Plani i Rritjes dhe fusha të reja bashkëpunimi

Këtë të martë në Shkup mbahet Samiti i liderëve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohet për përshpejtimin e integrimit rajonal dhe zbatimin e Planit të Rritjes të BE-së.

Në këtë samit merr pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përkrah liderëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë

Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e vendeve të rajonit, me synim përshpejtimin e reformave dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik.

Sipas njoftimit të BE-së, Samiti në Shkup do të jetë një mundësi për të diskutuar edhe fusha të reja bashkëpunimi, përfshirë mbrojtjen e konsumatorit dhe turizmin.

“Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon të nxisë ekonominë e rajonit dhe të ndihmojë vendet e tij të afrohen me BE-në. Ky plan përfshin 6 miliardë euro fonde për reforma dhe investime në energji, transport dhe transformim digjital, me qëllim rritjen e prosperitetit dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Si pjesë e diskutimeve, Komisioni do të propozojë gjithashtu një paketë investimi prej 87.7 milionë euro brenda Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Kjo paketë pritet të mobilizojë gati gjysmë miliardi euro investime private në projekte të energjisë së pastër në të gjithë rajonin.

Një konferencë për shtyp me komisioneren Kos dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, do të mbahet më 1 korrik në orën 12:15.