Në përvjetorin e 147-të të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e cilësoi këtë datë si themelin politik dhe shpirtëror të bashkimit kombëtar shqiptar.

Gjatë fjalës së tij, Begaj ka theksuar rëndësinë historike të 10 qershorit 1878, duke thënë se ajo shënon nisjen e lëvizjes për pavarësi dhe bashkim kombëtar.

“10 qershori i vitit 1878 ishte, është dhe do të mbetet themeli politik e shpirtëror i bashkimit kombëtar. Është dita kur filloi lëvizja për pavarësinë kombëtare”, ka deklaruar presidenti.

Ai ka thënë se mesazhi i kësaj date historike vijon të jetë i gjallë edhe sot, duke u reflektuar në përpjekjet për zhvillim, mirëqenie dhe bashkim kulturor e shpirtëror të shqiptarëve kudo.

“Shkëndija e kësaj dite ndezi pishtarin e lirisë, por trashëgimia e saj jeton sot në çdo përpjekje për zhvillim, mirëqenie, për bashkim shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve. Ishte një thirrje për bashkim, për mbrojtje dhe vetëdije kombëtare”, ka theksuar Begaj.

Ai ka përmendur gjithashtu raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke i cilësuar si dy shtete të një kombi që ecin bashkë në rrugën drejt integrimit evropian.