Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se pas refuzimit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, Serbia e ka dëshmuar qasjen destruktive ndaj Kosovës.

Bislimi ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë e angazhuar në dialog duke paraqitur propozime konstruktive dhe duke shprehur përkushtimin për normalizimin e marrëdhënieve rajonale.

Ai gjithashtu ka thënë se Qeveria po e drejton procesin e dialogut drejt një rrugë të drejtë.

“Rryma në veri, ka filluar të paguhet për herë të parë, e po ashtu dhe targat ilegale u larguan nga qarkullimi. Rendi dhe ligji mbizotërojnë tashmë në çdo cep të vendit. Procesi i dialogut u kthye drejt rrugës së normalizimit dhe njohjes reciproke, por të cilën fqinji ynë verior vijon ta refuzojë, siç po e dëshmojnë me Marrëveshjen Bazike të Brukselit dhe Aneksin Implementues të Ohrit. U demaskua qasja e tyre destruktive, por ne vijuam angazhimin tonë, duke shfaqur konstruktivitet e duke qenë palë aktive, përmes ofrimit në vazhdimësi të propozimeve e ideve në çështjet rreth dialogut”, ka shkruar Bislimi të dielën në Facebook.

Përveç kësaj, Bislimi shprehu përkushtimin për të vazhduar me të njëjtin ritëm të punës dhe përkushtimin ndaj synimeve të Kosovës për të arritur njohje reciproke dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë.

Ndërkaq, njëherësh kryenegociatori i Kosovës, Bislimi dhe ai i Serbisë,  Petar Petkoviq, do të zhvillojnë raundin e dytë të takimeve në Bruksel të ndërmjetësuar nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, lidhur me çështjen e dinarit.

Mbajtjen e këtij takimi e bëri të ditur vetë Lajçak më 19 mars, pas takimit që ishte zhvilluar mes kryenegociatorëve në kryeqendrën evropiane.

​Takimi Bislimi-Petkoviq, optimizëm për arritjen e një dakordimi për dinarin

Ai kishte deklaruar se diskutimet ishin përqendruar rreth çështjeve urgjente në agjendën e dialogut, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës dhe zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ky ishte takimi i dytë që u organizua nga BE-ja për çështjen e dinarit.

Një raund i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 27 shkurt në kryeqendrën evropiane, por përfundoi pa rezultate konkrete.