“Bon Vivant” del me reagim pas vrasjes së katër gushtit

Kafiteria “Bon Vivant”, ku u vra një person javën e kaluar, ka njoftuar se do të fillojë me një fushatë kundër dhunës "Bon Vive"

Lokali në Prishtinë “Bon Vivant”, ku u vra një person në mbrëmjen e katër gushtit, ka bërë një reagim përmes rrjetit social Facebook.

Në njoftimin e lokalit thuhet se janë të tronditur nga kjo ngjarje tragjike dhe të shqetësuar që kjo ngjarje solli humbje jete, lëndime dhe trauma ndaj njerëzve.

“Jemi të tronditur nga ngjarja tragjike që ka ndodhur në BonVivant. Jemi thellësisht të pikëlluar dhe të shqetësuar që kjo ka sjellë humbje jete, lëndime dhe trauma ndaj njerëzve. Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për këtë ngjarje të trishtë. Me një thirrje të fuqishme, i drejtohemi sipërmarrësve, stafit dhe çdo qytetari: dhuna dhe krimi nuk kanë qenë dhe as nuk duhet të jenë modeli i jetesës në Prishtinë ose kudo në Kosovë. BonVivant, një vend si shumë të tjerë në kryeqytet dhe në gjithë Kosovën, ka 40 puntorë në stafin e tij, të cilët janë të përkushtuar për të promovuar kulturën e civilizuar, ku njerëzit vijnë jo për të takuar dhe përballuar me të panjohurën e frikshme, por për të argëtuar dhe për të shijuar përparësitë e një jete kulturore të mirëfilltë, ku hapësirat, muzika, shërbimi dhe produktet krijojnë mundësi për ndërveprim dhe harmoni. Kohët e fundit, dhe veçanërisht këto ditë, po shohim një përshkallëzim të dhunës që po prek çdo sferë të jetës, pa dallim moshë dhe vendndodhje. Kjo po ndodh në lokale, në rrugë, në trafik, praktikisht kudo”, thuhet në njoftim.

Tutje, “Bon Vivant” thotë se ka ndjekur me vëmendje debatin dhe kritikat publike, që në disa raste kanë ofruar reagime të shpejta dhe radikale për zgjidhjen e kësaj situate.

Ndër të tjera, thuhet se në disa raste, kritika është shndërruar në një lojë ku fajësia shpërndahet pa ndonjë qëllim konstruktiv, duke potencuar se ky lloj reagimi nuk sjell zgjidhje dhe kulturë të qëndrueshme.

Me këtë rast, Bon Vivant do të nisë fazën e parë të fushatës kundër dhunës “Bon Vive”.

“Ne duam të ndryshojmë këtë model dhe të krijojmë një jetë të pasur dhe të diversifikuar kulturore në Prishtinë. Me qëllim që të mos qëndrojmë pasivë ndaj kësaj situate dhe të mos jemi indiferent ndaj atyre që e shohin të panjohurën në lokale, rrugë dhe sheshe si diçka të frikshme dhe kriminale, BonVivant do të nisë fazën e parë të fushatës kundër dhunës, ‘Bon Vive’”, thuhet në njoftim.

Në njoftim sqarohet se në thelb të kësaj fushate do të jenë tri veprime të CSR (Corporate Social Responsibility) të BonVivant, si një pjesë e pandarë e identitetit të kulturës dhe jetës civile në kryeqytet.

“Do të krijojmë një fond donacioni, i cili do të mbushet me një pjesë të fitimit të disa produkteve dhe shërbimeve, si dhe nga kontributet e klientëve. Lokalet të tjera të gastronomisë në Prishtinë që kanë vullnet dhe besim do të inkurajohen të bashkohen me këtë fond. Një ditë të caktuar në vit, BonVivant do të ofrojë falas një program të pasur për një numër të kufizuar të studentëve nga Shkolla e Mesme e Kryeqytetit, të cilët kanë treguar sjellje të mirë dhe arritje të shkëlqyera. Do të inkurajojë Shoqatat Joqeveritare të Rinjëve që të menaxhojnë fondin donacioni, me synimin që të ardhurat të shkojnë tek ata që japin shembull të tolerancës dhe kundër-dhunës. Për fund, dikur në kryeqytetin tonë, si dhe në shumë qytete të Evropës, kafeteritë, restorantet ishin vende ku njerëzit komunikonin lirisht me të njohurit dhe të panjohurit, duke ndarë mendime dhe krijuar mundësi të reja. E panjohura nuk ishte sinonim i dhunës dhe frikës”.

Tutje, ky lokal ka shtuar se do të vazhdojë të promovojë një kulturë ku njerëzit mblidhen për të shijuar jetën dhe për të pasur një eksperiencë të mirëfilltë gastronomike.

“E panjohura nuk duhet të përshkruhet si frikësuese në Prishtinë dhe në Kosovë nuk do të jetë kurrë! Bon Vivant do të ri-kthehet shumë shpejt”, ka përfunduar reagimi i lokalit.

Ndryshe, mbrëmja e 4 gushtit përfundoi me fatalitet për një 39-vjeçar, kurse një numër i madh i personave mbetën të plagosur e të lënduar pas një mosmarrëveshjeje brenda lokalit “Bon Vivant” në kryeqytet.

Ekipe të shumta policore kishin rrethuar perimetrin e lokalit, ndërsa njoftuan zyrtarisht se nga të shtënat me armë kishte të plagosur e të lënduar.

Të lënduarit morën plagë kryesisht nga thyerjet e shisheve e xhamave pas përleshjes që nisi në “Bon Vivant”.

Dosja e Prokurorisë në Prishtinë tregon momentin kritik që çoi deri në fillimisht plagosje e më pas vrasjen e Kastriot Ramadanit.

Sipas dosjes, Andi Pajaziti, Gëzim Zakuti, Dukagjin Nikollaj dhe tashmë i ndjeri Kastriot Ramadani së bashku me një person ende të paidentifikuar rreth orës 23:17 të 4 gushtit gjendeshin në lokalin “Bon Vivant”.

Sipas Prokurorisë, në afërsi të tavolinës ku ishin duke qëndruar Dukagjin Nikollaj e Kastriot Ramadani si dhe një person tjetër, i cili ende nuk është identifikuar, pranë tyre, duke qëndruar në këmbë, ishin afruar Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti.

Dosja e Prokurorisë shpjegon momentin kur palët nxorën armët e zjarrit dhe filluan të gjuajnë në njëri-tjetrin.

Fillimisht, Kastriot Ramadani, me të vërejtur se në lokal kishin hyrë Andi Pajaziti e Gëzim Zakuti, nxjerr armën e zjarrit nga brezi, e njëjtë kishte vepruar edhe Dukagjin Nikollaj, i cili nxjerr armën nga një çantë që e mbante me vete, ku për një moment fillojnë të përleshen fizikisht Pajaziti me të pandehurin Nikollaj.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, Kastriot Ramadani më një shishe qelqi godet në kokë disa herë të pandehurin Andi Pajaziti, e ky i fundit me armë zjarri shkrep në drejtim të Kastriot Ramadanit. Edhe Kastriot Ramadani kundërpërgjigjet më armë të zjarrit, por nuk është i vetmi, pasi edhe Nikollaj gjuan me armë zjarri në drejtim të Pajazitit.

Veprime këto që sipas Prokurorisë kanë rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë, të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajazi e Hisni Gecaj, ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte Kastriot Ramadani, i cili edhe kishte ndërruar jetë në QKUK.

Gecaj në përshikrimin e dosjes së Prokurorisë rezulton të jetë pjesëtar i FSK-së.

Gecaj në tërë këtë ngjarje kishte mbajtur në posedim një thikë duke vepruar në kundërshtim me ligjin.

13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Andi Pajaziti sipas Prokurorisë po dyshohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

Vepër penale e cila sipas Kodit Penal të Kosovës është e dënueshme me jo më pak se 10 vjet dënim me burgim ose me dënim me burgim të përjetshëm.

Pajaziti, sipas Prokurorisë, dyshohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, Pajaziti del të jetë recidivist i shumë veprave penale.

Për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë dyshohet Dukagjin Nikollaj, i cili, sipas Prokurorisë, në kohën e kryerjes së veprës penale gjendej në arrati. I njëjti dyshohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Hisni Gecaj e Gëzim Zakuti dyshohen për veprën penale – pjesëmarrje në rrahje.

Si ndodhi vrasja në “Bon Vivant”? (PAMJE)

 

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika