Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kanadaja kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime konkrete kundër Izraelit, nëse ky i fundit nuk ndalon ofensivën ushtarake në Gaza dhe nuk lehtëson hyrjen e ndihmave humanitare.

Në një deklaratë të përbashkët, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri kanadez Mark Carney thanë se “nëse Izraeli nuk e ndal ofensivën e ripërtërirë ushtarake dhe nuk heq kufizimet për ndihmën humanitare, ne do të ndërmarrim veprime të mëtejshme konkrete si përgjigje”.

Ata i bënë thirrje gjithashtu Hamasit që të lirojë pengjet e marra gjatë sulmit të 7 tetorit, të cilin e cilësuan si “sulm i urryer”.

“E kemi mbështetur gjithmonë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, por ky përshkallëzim është tërësisht joproporcional,” thuhet në deklaratë.

Netanyahu reagon ashpër ndaj deklaratës

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka reaguar menjëherë pas deklaratës së liderëve perëndimorë, duke i akuzuar ata për “shpërblim ndaj Hamasit”.

“Duke i kërkuar Izraelit të ndalojë një luftë për mbijetesë, ata po ofrojnë një çmim për sulmin gjenocidal ndaj Izraelit më 7 tetor,” ka deklaruar Netanyahu.

Ai ka shtuar se lufta mund të përfundojë menjëherë nëse Hamasi dorëzon armët dhe i liron pengjet.

“Lufta përfundon nesër nëse pengjet lirohen, Hamasi dorëzon armët, udhëheqësit e tij dëbohen dhe Gaza çmilitarizohet,” ka theksuar ai, raporton BBC.