Buxheti komunal i Mitrovicës nuk i plotëson nevojat themelore për zhvillim ekonomik

Shumë familje në shoqërinë tonë përballen me papunësinë. Zgjidhje e këtij problemi po konsiderohet braktisja e vendit. Përderisa ky fenomen po kthehet në një realitet të vështirë, institucionet shtetërore nuk janë duke treguar ndonjë reagim të mjaftueshëm lidhur me këtë çështje

Komuna e Mitrovicës

Kosova është një nga shtetet më të reja të Evropës dhe si e tillë përballet me probleme të ndryshme sociale, të cilat edhe pas 14 vitesh pavarësi vazhdojnë të jenë prezente në shoqërinë tonë në një masë shqetësuese.

Përballja dhe luftimi i problemeve sociale del të jetë i vështirë, si për institucionet shtetërore, ashtu dhe për qytetarët.

Një ndër problemet sociale kyçe në shoqërinë tonë është papunësia, e cila zë vend në çdo bisedë, duke u shndërruar në një brengë të pashmangshme, derisa në anën tjetër situata në vend vazhdon të jetë po e njëjta.

Qyteti i Mitrovicës nuk i shpëtoi papunësisë dhe e pati ‘fatin’ e njëjtë me qytetet e tjera të Kosovës.

Drejtoresha e Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik në Mitrovicë, Igballe Islami në një intervistë për Portalin Dukagjini ka thënë se buxheti i komunës së Mitrovicës nuk i plotëson nevojat themelore të kërkesave për infrastrukturë të zhvillimit ekonomik.

Në bazë të këtyre fakteve, Islami tha se aspekti i zhvillimit ekonomik i qytetit nuk mund të implementohet përmes buxhetit të tanishëm të komunës, edhe pse janë të vullnetit që të kenë edhe investime në drejtim të zhvillimit ekonomik.

Fotoilustrim. Foto: livescience

Islami për gjendjen financiare të qytetarëve të Mitrovicës u shpreh se duke u bazuar në regjistrat e Qendrës për Punë Sociale, Mitrovica ka rreth 2 mijë e 300 raste në skemën sociale. Këtu përfshihen kërkesat e pandërprera për mbështetje financiare në aspektin shëndetësor, pastaj kërkesat për pagesën e qirave të banorëve të pjesës veriore.

“Mund të vlerësojmë se nuk është gjendja e mirë financiare”, tha Drejtoresha e Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik në Mitrovicë.

Islami tregoi se njëra ndër prioritetet kryesore në qeverisjen e Bedri Hamzës është zhvillimi ekonomik dhe rritja e mirëqenies qytetare. Ajo shtoi se komuna e Mitrovicës ka rregulluar anën ligjore dhe funksionale të fushës së zhvillimit ekonomik lokal duke themeluar drejtorinë e re për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm, fusha të cilat nuk janë trajtuar në vitet e mëparshme.

Tutje, ajo rrëfeu se si Drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik janë të fokusuar në funksionalizimin e Parkut të Biznesit në qytet dhe Parkut Industrial në Frashër, dy zona ekonomike të cilat janë të themeluara sipas ligjit për Zonat Ekonomike.

“Në këto zona do të rregullohet aspekti funksional dhe do të investohet në infrastrukturën e përgjithshme”.

Drejtoresha e Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik ka thënë për Portalin Dukagjini se janë në fazën e themelimit të inkubatorit të biznesit, i cili do të jetë njëra ndër shtyllat e zhvillimit dhe përkrahjes së projekteve inovative dhe bizneseve fillestare. Islami tregon se ky inkubator do të përkrahë gratë dhe të rinjtë duke ofruar grante dhe trajnime profesionale.

Drejtoresha Islami tha se kanë filluar me përgatitjet për përpilimin e strategjisë për zhvillimin e turizmit dhe strategjinë për zhvillim ekonomik dhe punësim, dy dokumente te cilat do të jenë udhërrëfyes për zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e turizmit në qytetin e Mitrovicës.

Prioritet për Drejtorinë e Financave dhe Zhvillimit Ekonomik është edhe përkrahja e bizneseve ekzistuese në promovimin e prodhimeve vendore lokale, organizmin e panairit të prodhimeve vendore si dhe përkrahjen për pjesëmarrje në panaire vendore dhe ndërkombëtare.

Gjatë kësaj kohe, në komunën e Mitrovicës janë bërë dëgjimet buxhetore të korrikut 2022. Igballe Islami tha se kërkesat e qytetarëve ishin më shumë për Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, trajtimin e qenve endacakë, investime në shkolla, e të tjerë.

Ndërsa për listimin e projekteve kapitale në Draft-Buxhetin Komunal 2023-2025, Islami u shpreh se do të fillojë këtë javë, meqenëse javën e kaluar janë përfunduar edhe dëgjimet me drejtorët e drejtorive.

“Ne si drejtori jemi ende në pritje të Qarkores buxhetore 2023/24, e cila i përcakton kufijtë në kategori ekonomike”, tha Islami.

Drejtoresha e Drejtorisë për Mirëqënie Sociale në Mitrovicë, Drita Ibrahimi në një intervistë për Portalin Dukagjini ka thënë se para ardhjes së Bedri Hamzës në pushtet, si institucioni ‘Qendra për Punë Sociale’ kanë pasur statistika më të larta të përfituesve të asistencës sociale.

Ndërsa, tani aspekti statistikor i përfituesve të skemës së përfitueve është më i ulët dhe vlen të theksohet se nga vrojtimi i vazhdueshëm, ecuria e përfituesve ka pësuar rënie të lehtë.

Drejtoresha e Drejtorisë për Mirëqënie Sociale ka thënë se në koordinim me kryetarin e komunës së Mitrovicës kanë vendosur të ndihmojnë nga buxheti komunal të gjitha familjet përfituese të ndihmës sociale me një shumë prej 100 eurosh, e cila do të procedohet në muajin në vijim.

Ibrahimi ka shtuar se zotimi i kryetarit Hamza për pagesën në 10 mijë euro shtesë, të cilat janë ndihmë për strehimoren QMGF “Raba Voca” është në proces.

E pyetur për aspektin statistikor të përfitueve të skemës sociale, Drita Ibrahimi tha se për gjatë viteve 2021-2022 për dallim nga vitet 2020-2021 ka pasur një rënie prej 30 përfitues më pak. Gjashtëmujori i parë i vitit 2022 në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 ka pasur 70 përfitues më pak.

“Përkushtimi im do të jetë maksimal duke u munduar të kontribuoj në ngritjen e mirëqënies sociale në komunën tonë”, u shpreh Ibrahimi.

Drejtoresha e Drejtorisë për Mirëqënie Sociale në Mitrovicë, Drita Ibrahimi për Portalin Dukagjini ka treguar se kjo drejtori planifikon angazhim për bashkëpunim me organizata qeveritare dhe joqeveritare për t’i ndihmuar këtyre familjeve me pako ushqimore dhe higjienike, lëndë djegëse e të tjerë.

“Do ta bëjmë pagesën e qirasë për raste me kushte të rënda ekonomike si dhe familjeve të zhvendosura nga pjesa veriore e Mitrovicës dhe do të dhurojmë ndihma me material ndërtimor për familjet përkatëse”, tha Ibrahimi.

Në planet e Drejtorisë për Mirëqënie Sociale është edhe strehimi i familjeve që nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit, duke iu ndihmuar me një qira simbolike dhe joprofitabile. Ibrahimi thotë se 84 familje në fshatin Frashër kanë qenë pjesë e strehimit.

Drita Ibrahimi tregoi se do të vazhdojë mbështetja me pako ushqimore dhe higjienike për shoqatat e ‘Syndrom Down’, ‘Hendikos’, ‘Shurdhë-memecë’, ‘shoqatës së të verbërve si dhe për shoqatën e të riatdhesuareve dhe komuniteteve në nevojë.

Ajo ka përfunduar se për mundësinë e gjetjes së punës për përfituesit e këtyre skemave ka bashkëpunim të ngushtë me Qendrën për Punësim dhe organizatave joqeveritare.

Të gjitha këto organe veprojnë me qëllim që të gjithë qytetarët të ngriten ekonomikisht.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika