Mbaj mend se si në fund të vitit 2012 kishte përpjekje për t’u anuluar premiera e shfaqjes “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, me tekst të Jeton Nezirajt dhe në regji të Blerta Nezirajt. Atëbotë përpjekjet për censurim erdhën nga Ministria e Kulturës. Politika nuk dontë të lejonte shfaqjen e një komedie politike mbi lindjen e shtetit të Kosovës. Megjithatë, shfaqja u dha për publikun në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Por, ministria nuk u ndal me kaq. Dy vjet më vonë, në vitin 2014, i kërkoi Teatrit Shtetëror të Stambollit që të censurojë një pjesë të tekstit. Drejtori Mustafa Kurt refuzoi dhe në shenjë proteste u dorëhoq.
Tash, pas 13 vjetësh, përpjekjet për sabotim dhe censurë janë zhvendosur në Ferizaj, teatri i të cilit qytet po përgatit vënien në skenë të të njëjtës shfaqje, në regji të Agon Myftarit. Premiera është caktuar për datën 14 qershor. Autoritetet komunale, bashkë me degën e të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK’së në Ferizaj, nuk kanë dashur që ajo të jepet në ditën e çlirimit të qytetit. Arsyet janë të ngjashme me ato që ishin shprehur në vitin 2012.
Teatri “Adriana” ka njoftuar se ka pasur tentim për retushim të tekstit të shfaqjes dhe sabotim nga komuna. Sipas teatrit, komuna ka kërkuar heqjen e pjesëve të caktuara nga teksti i shfaqjes, kurse premira është shtyrë për një javë. Po ashtu, teatrit i është thënë nga komuna se nuk ka buxhet për blerjen e materialeve të nevojshme për shfaqje. Sipas teatrit, këto veprime janë përjetuar si “një sabotim i heshtur dhe një formë e censurës indirekte”.
Asociacioni i Teatrove Publike të Kosovës ka reaguar, duke thënë se çdo përpjekje për të kufizuar lirinë artistike, nëpërmjet censurës së drejtpërdrejtë ose formave të heshtura e burokratike, përbën kërcënim serioz jo vetëm për institucionet kulturore, por për vetë parimet mbi të cilat ndërtohet një shoqëri demokratike.
Shfaqja, një satirë politike, flet për një trupë teatrore të Kosovës në prag të shpalljes së pavarësisë, e cila përpiqet të krijojë një shfaqje. Por shfaqja dështon, ashtu si dhe fjalimi i kryeministrit.
* * *
Tekstet e shkruara nga Jeton Neziraj janë provokuese dhe të guximshme, andaj rëndom nxisin reagime e debat. Por, siç thuhet edhe në reagimin e Asociacionit të Teatrove Publike të Kosovës, arti nuk ka për detyrë të kënaq, por të sfidojë, të provokojë dhe të nxisë mendimin.
Këto “provokime” nuk po iu pëlqejnë zyrtarëve të Komunës së Ferizajt. Nuk po mund të pajtohen as me lirinë e fjalës, të shprehjes dhe të krijimit në të cilat vlera, sipas edhe Teatrit të Ferizajt, konsiston patriotizmi i vërtetë.
Sipas zyrtarëve të Komunës, shfaqja nuk duhet dhënë më 12 qershor, në Ditën e Çlirimit, “që të mos fyhen vlerat çlirimit të qytetit”. Ndërkaq sipas veteranëve, shfaqja përmban disa skena “shumë denigruese për pjesëtarët e udhëheqësit e luftës, për disa ndodhi që i kanë përçmuar, përdhosur, etiketuar”.
Është paradoksale që shfaqja të kundërshtohet nga ata që kanë luftuar dhe kanë dhënë kontribut pikërisht që fjala e lirë të mos cenohet, që njerëzit të jenë të lirë të jetojnë e të veprojnë. Për më tepër, është e papranueshme që autorë e aktorë shfaqjes të cilësohen antikombëtarë – qoftë edhe në mënyrë indirekte – nga individë që ngrenë lart flamurin e patriotizmit.
Shfaqja mund të përmbajë pjesë, të cilat dikujt mund të mos i pëlqejnë. Por, liria na mëson se duhet të respektojmë edhe mendimin ndryshe. Liria jonë na mëson se duhet respektuar edhe lirinë e tjetrit. Dhe, po, shumë e rëndësishme është liria krijuese për të shpërfaqur ngjarje dhe fenomene, të cilat mund të jenë të pakëndshme për dikë. Të përballesh me vetveten nënkupton guxim, jo turp. Të shohësh veten në pasqyrë nënkupton të reflektosh edhe për gabime eventuale. Patriotizëm është të thuash të vërtetën, jo të përpiqesh ta ngulfatësh, sabotosh dhe tjetërsosh atë.