Çfarë u tha pas takimeve pa marrëveshje në Bruksel?
Pa ndonjë progres, Kosova dhe Serbia përmbyllën një tjetër ditë takimesh në Bruksel. Pas takimeve të enjten, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mungesën e gatishmërisë për pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë në lidhje me propozimin e ri evropiano-amerikan për […]
Pa ndonjë progres, Kosova dhe Serbia përmbyllën një tjetër ditë takimesh në Bruksel.
Pas takimeve të enjten, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mungesën e gatishmërisë për pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë në lidhje me propozimin e ri evropiano-amerikan për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Borrell ka theksuar se kjo mungesë e pajtimit, së bashku me parakushtet e vendosura nga palët, e bën procesin e normalizimit të marrëdhënieve shumë të vështirë.
Borrell gjithashtu ka theksuar rëndësinë e dialogut si mjetin kryesor për arritjen e normalizmit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar që vetëm nëpërmjet tij është e mundur të avancohet në rrugën drejt integrimit evropian.
“Palët nuk ishin të gatshme që të pajtoheshin me këtë, pa parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër. Në fund, kërkuam nga palët që të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit, që mund të bëhet vetëm përbrenda në kornizën e dialogut, sepse është e vetmja rrugë për ta për avancim në rrugën evropiane”, ka deklaruar ai për uebfaqen e BE-së.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit në Bruksel, ka deklaruar se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen bazike për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe gjithashtu marrëveshjen për Asociacionin, siç thuhet në njoftimin e Qeverisë, “draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”.
Megjithatë, një gjë të tillë, sipas Qeverisë së Kosovës, e ka refuzuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ai ka kërkuar që “që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor 2023”.
Në fund të takimit, sipas njoftimit, kryeministri Kurti ka thënë se “Pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin”.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka komentuar dokumentin e propozuar nga pesëshja evropiane për Asociacionin duke thënë se ky draft është përpunuar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Ai ka shtuar se ky propozim është ndryshe nga propozimet e mëparshme dhe se sipas tij, janë munduar ta respektojnë frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Duke iu drejtuar gazetarëve pas takimeve, Vuçiq ka thënë se Serbia dëshiron t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me autoritetet e Kosovës.
Ai ka thënë, më 21 tetor, kur në Beograd priti të dërguarit perëndimorë, mori një letër që ishte “bazë e mirë për të ardhmen”, e cila sipas tij, i referohet ekskluzivisht formimit të Asociacionit.
“Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që i kemi marrë”, u ka thënë Vuçiq gazetarëve.
Por, ai u shpreh se nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe as anëtarësimin e saj në OKB.
Vuçiq ka shtuar se askush në takime nuk i ka përmendur “sanksionet kundër Serbisë”.
Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, duke theksuar se Serbia ka refuzuar ta nënshkruaj marrëveshjen në Bruksel, ka akuzuar atë për aktin e agresionit kundër Kosovës më 24 shtator dhe ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të sanksionojë Serbinë për këtë akt terrorist.
Ajo gjithashtu ka thënë se vonesa në këtë rast mund të kontribuojë në përshkallëzimin e tensioneve në rajon.
Kujtojmë se, Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim.
Dhjetë ditë më vonë ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, u vranë edhe tre sulmues serbë.















