Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe deputeten e kësaj partie Albulena Haxhiu për bllokadën në Kuvend. 

Ajo ka thënë se është detyrë e Kurtit që të sigurojë shumicën parlamentare.

Përkundër kësaj ajo ka thënë se PDK-ja është treguar konstruktive. 

“PDK-ja gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë korrekte dhe konstruktive, dhe kemi ofruar rrugëdalje nga kjo gjendje e bllokadës në të cilën jemi futur, ekskluzivisht falë kokëfortësisë së zotëri Albin Kurtit dhe ambicies së zonjës Albulena Haxhiu”, është shprehur Çitaku, para nisjes së vazhdimit të 22-të të seancës konstituive të Kuvendit. 

Ajo e ka ftuar Kurtin që të reflektojë.

“Edhe sot ju bëjmë ftesë që të reflektojnë, Kosova është shumë më e madhe sesa secili emër i përveçëm në atë sallë. Ne jemi të gatshëm për zgjidhje i kemi dhënë propozimet tona, shpresojmë që sot Kurti të reflektoje”, ka deklaruar Çitaku. 

Ndryshe, Sot do të jetë tentativa e 22-të e formimit të komisionit ad hoc për konstituimin e Kuvendit. Sipas njoftimit, seanca pritet të fillojë nga ora 11:00. Por a do të fillojë në kohë mbetet të shihet.