Ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, gjenerali Wesley Clark, ka dhënë një paralajmërim të fortë për zhvillimet në Kosovë, gjatë një paneli të mbajtur në Dejton të Ohajos, ku po zhvillohet sesioni pranveror i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, njëkohësisht në 30-vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit.

Në diskutimin ku morën pjesë edhe diplomatë të njohur si Chris Hill dhe Carl Bildt, të përfshirë në procesin e Dejtonit, Clark theksoi se Kosova po kthehet në një “pikë të nxehtë” me potencial për destabilizim në rajon.

“Ka një fusnotë të Marrëveshjes së Dejtonit që është Kosova. Chris Hill ka qenë ambasador në Maqedoni kur presidenti Gligorov kishte paralajmëruar për konfliktin pas masakrës ndaj Familjes Jashari në fund të shkurtit ’98. Sot Kosova është shtet i pavarur, por tensionet me Serbinë mbeten shumë të ndjeshme”, tha Clark.

Ai shtoi se gjatë procesit të Dejtonit nuk ishte e mundur të detyrohej Millosheviqi të adresonte çështjen e Kosovës.

“Ai e bëri këtë më vonë, por me mjete ushtarake dhe polici speciale. Sot, Kosova ende nuk ka qeveri pas zgjedhjeve të fundit dhe ekzistojnë shqetësime serioze për të ardhmen”, paralajmëroi Clark.

Sipas tij, krizat në rajon nuk kufizohen vetëm te Bosnja, por përfshijnë edhe Kosovën, e cila, sipas tij, “po pret si një vatër krize që mund të shpërthejë në kohën më të papërshtatshme”.