Crnadak: Dodik i gatshëm të pranojë migrantë nga Amerika Latine në këmbim të heqjes së sanksioneve
Nënkryetari i Partisë së Progresit Demokratik (PDP) dhe deputeti i Kuvendit të Bosnje dhe Hercegovinës, Igor Crnadak, ka akuzuar presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, se po ofron pranimin e migrantëve nga Amerika Latine në këmbim të heqjes së sanksioneve amerikane ndaj tij. Përmes një postimi në Facebook, Crnadak ndau një pjesë nga intervista e […]
Nënkryetari i Partisë së Progresit Demokratik (PDP) dhe deputeti i Kuvendit të Bosnje dhe Hercegovinës, Igor Crnadak, ka akuzuar presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, se po ofron pranimin e migrantëve nga Amerika Latine në këmbim të heqjes së sanksioneve amerikane ndaj tij.
Përmes një postimi në Facebook, Crnadak ndau një pjesë nga intervista e Dodikut për median amerikane Newsmax, ku ky i fundit shprehet se është i gatshëm për një “marrëveshje të caktuar me Amerikën” për migrantët raporton Danas përcjell Dukagjini.
“Mund të bëjmë një marrëveshje të këtij lloji me Amerikën, nuk është asgjë imponuese. Kjo nuk ka lidhje me migrantët nga bota islame që janë vendosur në Bashkimin Evropian. Ne nuk i duam ata migrantë”, ka deklaruar Dodik, sipas agjencisë Beta.
Crnadak kritikoi qasjen selektive të Dodikut ndaj migrantëve, duke theksuar se për presidentin e RS-së, migrantët nga vendet islamike janë të papranueshëm, ndërsa ata nga vende si Venezuela apo Kolumbia, janë të mirëpritur.
Ai theksoi se siguria e qytetarëve të Republikës Srpska nuk duhet të vihet në rrezik nga asnjë kategori migrantësh, pavarësisht origjinës së tyre, dhe paralajmëroi se kjo duhet të merret parasysh gjatë votimit për rezolutën e propozuar nga Dodik për çështjen e migrantëve.
Sipas Crnadak, aktualisht nuk ekziston asnjë kërkesë zyrtare nga SHBA-ja apo Britania e Madhe për zhvendosjen e migrantëve në territorin e Bosnje dhe Hercegovinës. Megjithatë, ai e cilësoi si shumë të rrezikshme vetë faktin që, sipas tij, Dodik ka ofruar RS-në si vendstrehim për migrantë potencialisht të rrezikshëm nga SHBA-të.
“Nëse Dodik ka bërë një deklaratë të gabuar, atëherë le të sqarojë publikisht që nuk ka pasur këtë qëllim dhe ta përfshijë qartësisht në rezolutë refuzimin e migrantëve edhe nga SHBA-ja”, përfundoi Crnadak.
Ndërkohë, Dodik ka dorëzuar në Asamblenë Kombëtare të Republikës Srpska një propozim për deklaratë që kundërshton krijimin e qendrave për migrantë në territorin e Bosnje dhe Hercegovinës, siç thuhet, sipas iniciativave të mundshme nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, BE-ja dhe shtetet anëtare të saj.
Ambasada britanike në Sarajevë ka mohuar kategorikisht ekzistencën e një iniciative të tillë për transferimin e migrantëve nga Britania e Madhe në Bosnje dhe Hercegovinë.















