Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mirëpritur vendimin e Kosovës për të pranuar përkohësisht 50 emigrantë që janë larguar nga SHBA-ja, në kuadër të një strategjie amerikane për kthimin e të huajve pa status të rregulluar.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), ka shprehur mirënjohje për Kosovën si partnere, duke vlerësuar bashkëpunimin në këtë proces.

“Ne jemi mirënjohës ndaj partneres sonë, Kosovës, për pritjen e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga SHBA-ja dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të këtyre të huajve në vendet e tyre të origjinës”, ka thënë DASH-i për CBSNews.

Vendimi për pranimin e këtyre emigrantëve u miratua nga Qeveria e Kosovës të mërkurën, dhe sipas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ata do të strehohen në Kosovë për një periudhë deri në një vit, derisa të bëhet e mundur kthimi i tyre në vendlindje.

Po ashtu, Kosova ka shprehur gatishmëri që të zhvillojë bisedime të ngjashme edhe me Britaninë e Madhe.