Delegacioni i kongresistëve amerikanë, që vizitoi Luginën e Preshevës të martën, theksoi rëndësinë e stabilitetit dhe të prosperitetit në trajtimin e çështjeve mes shqiptarëve dhe serbëve.
Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve u takuan me zyrtarë të ndryshëm, përfshirë deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, për të marrë informacione dhe mendime të drejtpërdrejta nga terreni.
“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, u tha Self gazetarëve.
Subramanyam përmendi sistemin arsimor dhe zhvillimin e pabarabartë për shqiptarët në Serbi si një nga problemet kryesore të të drejtave të pakicave, ndërsa tha se në takime është diskutuar edhe çështja e pasivizimit të adresave.
“Realiteti është që Serbia, për të ecur përpara, duhet të jetë në gjendje t’i adresojë këto çështje”, tha kongresisti demokrat.
Vizita e tyre në Preshevë – qytet në jug të Serbisë, i banuar me shumicë shqiptare – vjen pasi, në fillim të këtij viti, Komiteti për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratoi një projektligj, që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Projektligji, i iniciuar nga kongresisti Self, parashikon shqyrtimin e disa çështjeve që lidhen me pakicën shqiptare në Serbi, përfshirë pasivizimin e adresave, përkatësisht fshirjen e qytetarëve nga adresat ku janë të regjistruar.
Ai trajton, gjithashtu, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, mosnjohjen e diplomave nga Kosova dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Këto çështje janë përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, e vlerësoi vizitën e kongresistëve amerikanë si një sinjal të rëndësishëm të vëmendjes ndërkombëtare ndaj pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Një ditë më parë, ata qëndruan në Beograd, ku u takuan me sekretaren shtetërore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Nevena Jovanoviq.
Sipas njoftimit të kësaj ministrie, në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe mes Serbisë dhe SHBA-së, për situatën në rajon, si dhe për pozitën e komunitetit serb në Kosovë.
Po ashtu, ishte planifikuar edhe një takim me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, por ai u anulua.
Më 24 maj, kongresistët amerikanë vizituan edhe Sarajevën, ku theksuan përkushtimin e tyre ndaj Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës.
Ata pritet ta vazhdojnë turneun në Ballkan me një vizitë edhe në Kosovë, ku me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, do të takohen më 27 maj./RadioEvropaeLirë
Kongresistët amerikanë vizitojnë Preshevën mes shqetësimeve për të drejtat e shqiptarëve në Serbi
