Pas vërshimeve të shiut, vlera e dëmeve të shkaktuara në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, arrin deri në 200 mijë euro.

Stadiumi në të cilin zhvillon ndeshjet klubi i futbollit “Drenica”, është defunksionalizuar dhe shkatërruar totalisht pas vërshimeve të javës së kaluar. Shpresat që ai të rikthehet në gjendjen e mëparshme janë tejet të vogla.

Drejtuesit e klubit, por edhe ata të Komunës së Skenderajt, kërkojnë ndihmën e Ministrisë së Sportit si dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës për ta tejkaluar situatën.

Në një intervistë për KP, kryetarja e klubit të futbollit “Drenica”, Mihane Kodra-Bekteshi, ka thënë se dëmet në stadium janë aq të mëdha saqë nevojitet ndërtimi i një tjetri nga fillimi.

“Vlerësimet ende nuk i kemi kryer sepse deri para dy ditësh nuk kemi pasur mundësi as të hyjmë në stadium sepse vërshimet kanë qenë shumë të mëdha, por po mendoj që vlerësimet janë ato që shihen, së pari unë e shoh stadiumin në çfarë gjendje është, madje dhomat e zhveshjes që i kem pasur asgjë nuk ka mbetur sepse të gjitha i ka marrë uji dhe në fakt vetëm ekskavatori këtu funksionon, përndryshe nuk ka mundësi sepse besoj nëse tentojmë dhe mendoj ne të investojmë nuk ka mundësi sepse e ka dëmtuar shumë”, thotë Kodra-Bekteshi.

Krahas kësaj, ajo thotë se ndonëse akoma nuk ka diçka konkrete, shpreson që të jetë FFK-ja ajo që do t’u ndalë në ndihmë.

“Presidenti i federatës, Agim Ademi, ka qenë ditën e dytë apo të tretën. Ka menduar të hyjë brenda, por nuk ka mundur sepse e ka parë gjendjen çfarë. Na ka premtuar që brenda mundësive si federatë të na dalin ndihmë, por diçka për momentin konkrete nuk kemi”, shprehet tutje Kodra-Bekteshi.

Drejtori i Drejtorisë së Sportit në Komunën e Skenderajt, Alban Berisha, shprehet i shqetësuar me gjendjen në të cilën ka përfunduar ky stadium. Ai thotë se vërshimet shkatërruan gjithçka që ishte ndërtuar nga dora e njeriut në këtë impiant sportiv.

Sipas Berishës, mbi 200 mijë euro është vlera e dëmeve të shkaktuara.

“Padyshim se të gjitha institucionet dhe hapësirat vartëse në Komunën e Skenderajt i kemi inspektuar me grupet punuese, mirëpo tani më jemi në fazën ku veç është themeluar edhe një ekip prej profesionistëve, të cilët do ta bëjnë vlerësimin e dëmeve. Vlerësohen të jenë të paktën mbi 200 mijë eurove dëme në stadiumin e Drenicës. E keni parë një zhveshtore cila nuk e di më se si mund ta quajmë atë. Realisht nuk ka diçka që nuk është prekur në stadiumin ‘Bajram Aliu’ në Skenderaj. Gjithçka që është ndërtuar, nga dora e njeriut, nga institucionet, është e dëmtuar aktualisht”, thotë Berisha.

Duke parë gjendjen tejet të rënduar të stadiumit, Berisha thotë se ka pak shpresa që ai të mund të rikthehet në gjendje normale për shfrytëzim për ndeshjet e stinorit pranveror të Superligës së Kosovës në futboll.

Skenderaj ishte njëra ndër komunat më të prekura nga vërshimet.

Nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se është krijuar një fond, përmes së cilit, synohet t’u ndihmohet familjeve që janë prekur nga vërshimet e javës së kaluar.

Ballina