Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon seanca gjyqësore në rastin “Banjska”, ku sot është dëgjuar edhe dëshmia e zyrtarit të dytë policor, Avni Shala.

I emocionuar teksa përshkruante momentet e rënda të sulmit, Shala tregoi se kishte shkuar në drejtim të fshatit Banjskë disa minuta pasi rreshteri Afrim Bunjaku, bashkë me kolegët e njësisë së tij, ishin nisur drejt vendit ku ishte raportuar bllokimi i rrugës me barrikada.

“Kur kemi arritur tek barrikada, kemi dëgjuar shpërthimin dhe më pas të shtënat me armë”, ka deklaruar ai para trupit gjykues.

Shala ka rrëfyer se në atë moment kishte parë një person të shtrirë në tokë, por nuk kishte qenë i sigurt se për kë bëhej fjalë.

Ai shtoi se zyrtarët policorë kanë arritur me shpejtësi të marrin një automjet, dhe mes të shtënave me armë, kanë tërhequr trupin e kolegut të tyre dhe e kanë futur në veturë, duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

“Pastaj kam shikuar nga drejtimi i barrikadës kam pa që një person ishte i shtrirë kam pas dyshimet e mija dhe e kam pa qe nuk lëvizte, shume shpejt zyrtaret policor kanë arritur te marrin një automjet dhe kane tërhequr e kane futur ne automjet mes plumbave kane arritur te largohen ne vend te ngjarjes”, ka thënë ai.