Dështimi i 14-të radhazi për konstituimin e Kuvendit
Kanë kaluar më shumë se tre muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe gati një muaj nga fillimi i seancës konstituive, por Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar. Edhe tentativa e 14-të për formimin e këtij institucioni dështoi sot. Sërish “tym i zi” në Kuvend Seanca e sotme, ashtu si të mëparshmet, u karakterizua […]
Kanë kaluar më shumë se tre muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe gati një muaj nga fillimi i seancës konstituive, por Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar.
Edhe tentativa e 14-të për formimin e këtij institucioni dështoi sot.
Seanca e sotme, ashtu si të mëparshmet, u karakterizua nga përpjekja e Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc me qëllim të zhvillimit të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kryesuesi Avni Dehari u bëri thirrje partive PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe – që të propozojnë anëtarët e tyre për këtë komision, por këto parti nuk morën pjesë në proces.
Për rrjedhojë, komisioni u votua vetëm nga 54 deputetë të pranishëm, pa vota kundër apo abstenime.
Pas dështimit, Dehari njoftoi se seanca do të vazhdojë më 13 maj në orën 10:00.
Ngërçi politik është përqendruar kryesisht rreth kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, të propozuar nga Vetëvendosje.
Kjo parti insiston në kandidaturën e saj si gruaja më e votuar në zgjedhje, ndërsa PDK, LDK dhe AAK e refuzojnë, duke e konsideruar si një “figurë përçarëse”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk pranoi të komentojë situatën për gazetarët, pas dështimit të seancës.
Në anën tjetër, deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, akuzoi ish-opozitën për shkelje të procesit parlamentar përmes bojkotit të votimeve, si dhe për “propagandë” në rastin e mbledhjes së nënshkrimeve për shfuqizimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë.















