Përpjekja e njëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar, pasi nuk u arrit kuorumi i nevojshëm për të vazhduar me seancën.

Për të tretën herë, partitë ish-opozitare, PDK, LDK, AAK dhe Nisma, kanë refuzuar kërkesën e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, për të propozuar anëtarë për komisionin që do të merret me organizimin e votimit të fshehtë në Kuvendin e Kosovës.

Seanca konstituive do të vazhdojë të mërkurën, në orën 10:00.

Vazhdimi i seancës filloi me një minutë heshtje nga deputetët për Ditën e Dëshmorëve, të cilët dhanë jetën për lirinë e vendit.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, ndërsa ka kërkuar që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë – një kërkesë që nuk po përkrahet nga opozita.