Diar Aliu, kitaristi që fitoi çmimin e parë në festivalin e Austrisë
Tingujt që prodhohen nëpërmjet instrumenteve muzikore të krijojnë ndjesi të veçantë e mbresa të pashlyeshme. Përmes tyre mund të përçohen mesazhe, që vështirë se mund të arrijnë te publiku në ndonjë formë tjetër. Sigurisht, kjo varet edhe prej shkathtësisë dhe talentit të atij që luan në instrumente. Diar Aliu është kitaristi që me talentin e […]
Tingujt që prodhohen nëpërmjet instrumenteve muzikore të krijojnë ndjesi të veçantë e mbresa të pashlyeshme. Përmes tyre mund të përçohen mesazhe, që vështirë se mund të arrijnë te publiku në ndonjë formë tjetër. Sigurisht, kjo varet edhe prej shkathtësisë dhe talentit të atij që luan në instrumente.
Diar Aliu është kitaristi që me talentin e tij ka arritur të depërtojë përtej kufijve.
Fitimi i çmimit të parë në një festival ndërkombëtar
Diar Aliu është kitaristi nga Mitrovica që fitoi çmimin e parë në “Forrum Gitarre Wien 2022”. Në një intervistë për Portalin Dukagjini, Diar Aliu ka treguar se “Forumi i Kitarës” është një festival internacional i kitarës klasike në Vjenë të Austrisë, dhe është një ndër festivalet më prestigjoze në Evropë.
“Kompeticioni pati mjaft konkurrentë dhe është një nder të jem fitues i çmimit të parë”, tha Diar Aliu.

Aliu ka treguar se pjesëmarrja e tij në këtë festival është edhe mundësi për të njohur kitaristë dhe muzikantë nga kultura të ndryshme, gjë që për të është shumë e rëndësishme.
Ai tregoi se në këtë festival kishte konkurrent të nacionaliteteve të ndryshme, si Sllovakia, Çekia, Gjermania, Greqia, Serbia, Austria e të tjerë.
Fazat e përgatitjes për garë
Sa i përket periudhës kur ka filluar përgatitjet për pjesëmarrje në këtë kompeticion, Diar Aliu ka rrëfyer se ushtrimi me instrumentin e kitarës është diçka e përditshme, por provat intesive për këtë garë i ka filluar dy javë para se të fillojë gara. Kitaristi ka treguar se paralelisht me ushtrimet profesionale iu është dashur të përgatitej edhe në aspektin psikologjik.

“Aplikimi për pjesëmarrje në këtë kompeticion ka qenë në formë online dhe ka qenë i hapur për të gjithë”, ka shtuar Aliu.
Për Portalin Dukagjini Diar Aliu ka treguar se në planet e tij për të ardhmen përfshihen koncertet recitale, pjesëmarrjet në garat e tjera dhe bashkëpunime me artistë të tjerë.
Kur filloi interesimi për kitarën?
Se si dhe kur ka filluar të ketë dëshirë për t’u marrë me kitarën, Aliu tha se fillimisht ka startuar me një kitare të vogël, që këtu prindërit e kanë vërejtur interesimin e tij dhe është regjistruar në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë.

Mes tjerash, kitaristi nga Mitrovica ka shtuar se pas disa vjetësh është transferuar në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë ku aktualisht po vijon mësimin në klasën e 12-të.
“Orkestër e vogël”
“Kitara ka karakterstika të veçanta, sepse është si një orkestër e vogël”, tha Diar Aliu.
Tutje, ai tha se toni dhe ngjyra që prodhon kitara e veçon nga instrumentet e tjera. Në këtë instrument, fituesi i çmimit të parë ka veçuar edhe fleksibilitetin që ka kitara në zhanre të ndryshme të muzikës.















