Viteve të fundit, të shumta kanë qenë rastet e raportuara për dhunim, dhunë fizike, tortura e maltretime të burrave ndaj grave, megjithatë edhe rastet e vdekjes së grave si pasojë e burrave ishin të pranishme. Këtë e dëshmojnë edhe rastet e raportuara përgjatë viteve të fundit.

Prokuroria jep detaje, dyshohet se burri e vrau gruan e tij me sëpatë

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti kishte konfirmuar për Portalin Dukagjini se një grua 63-vjeçare ishte privuar nga jeta nga bashkëshorti i saj 70-vjeçar. Më vonë, Prokuroria Themelore në Prishtinë doli me detaje tronditëse.

Në komunikatën e tyre thuhet se burri me inicialet I.G i cili u vetëdorëzua në polici, dyshohet se me sëpatë e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij. Motivet e vrasjes akoma nuk dihen dhe krahas kësaj, duhet theksuar se për rastin e vrasjes së 63-vjeçares nuk u raportua më parë për përdorim të dhunës.

Rasti raportohet të ketë ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të së premtes, ndërkaq Policia e Kosovës ka pranuar informatën për një trup të pajetë në një shtëpi në rrugën “Mark Isaku”, në Prishtinë rreth orës 04:40.

“Rr. Mark Isaku, Prishtinë 25.11.2022 – 02:00-04:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare. Njësitë relevante policore dhe një ekipet e mjekësisë ligjore kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga stafi përgjegjës i mjekësisë ligjore është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e së shtunës,

Se sa mund të jetë dënimi për 70-vjeçarin dhe kur pritet të trajtohet rasti i tij në Gjykatë duke qenë se punonjësit e gjykatave dhe prokurorive kanë reduktuar aktivitetin e tyre si rrjedhojë e vendimeve të Qeverisë së Kosovës lidhur me pagat, Portali Dukagjini ka kontaktuar me një avokate.

“Në këtë rastin, tash sa kemi informacione preliminare të hetimeve, duket që ka ekzistuar dashja e kryerësit të veprës për me kry këtë vepër. E paraparë me nenin 21 të Kodit Penal të Kosovës, dhe po ashtu nga vepime dhe njohurit që kemi tash për tash, shihet se është vrasje e rëndë edhe nga neni 173 i Kodit Penal, paragrafi 1.4, për arsye se është vrarë anëtari i familjes dhe është vra në mënyrë mizore … për këtë vepër, minimumi i dënimit është 10 vjet ndërsa maksimumi 40 vjet”, ka deklaruar avokatja, Adelina R. Hoxha gjersa ka theksuar se pavarësisht motivit, veprimet janë të qarta dhe se e njëjta beson që shqyrtimi i çështjes do të shkojë shpejt.

Marigona Osmani, 2021

Ai më i freskëti krahas rastit të djeshëm, është ai i Marigona Osmanit, një vajzë 18 vjeçare, e cila ka vdekur në gushtin e vitit të kaluar (2021).

E ndjera ishte dërguar pa shenja jete në spitalin e Ferizajt nga partneri i saj Dardan krivaça dhe shoku i tij Arbër Sejdiu. Këta të fundit e kishin lënë trupin e 18 vjeçares në spital dhe kishin dalë nga ambientet e objektit ndërsa ishin identifikuar nga organet e rendit, ndërkaq disa ditë më pas ishin arrestuar.

Dosja e prokurorisë e këtij rasti vë në pah detaje tronditëse se si kishte ndodhur kjo ngjarje, pra si e reja ishte torturuar në mënyrë mizore.

Sipas prokurorisë, në javën e fundit të gushtit të vitit të kaluar, Marigona Osmani ishte detyruar të kryej marrëdhënie seksuale me partnerin e saj Dardan Krivaçën në banesën e këtij të fundit.

Dosja përshkruan se si “marrëdhënia seksuale përcillet me tortura në atë mënyrë që fillimisht pa dëshirën e Marigona Osmanit kryen marrëdhënie seksuale në sallon dhe të zhveshur Dardan Krivaça e dërgon në banjë, nga aty me dhunë e dërgon në dhomën e gjumit dhe si pasojë të gjendjes së rëndë shëndetësore e dhunës së ushtruar ajo humb aftësinë për të rezistuar”.

Kësisoj, dosja e autopsisë së 18 vjeçares ka theksuar se ka pasur një torturë mizore që i ishte bërë të njëjtës para vdekjes. Shenja të shumta në gjithë trupin, thyerje te gjymtyrëve, gërvishtje, goditje me kabllo, dhënie të tabletave të llojit tramadol e cila përdoret për lehtësim të dhimbjeve të forta e të cilat nuk rekomandohet të përdoren pa përshkrim të mjekut.

Në aktakuzë tutje përshkruhen edhe dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët por edhe tregohet se si i akuzuari kryesor partneri i Marigona Osmanit, Dardan Krivaça në polici dhe në prokurori nuk kishte pranuar që të deklarohet por kishte shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje.

Deklarata e dhënë e shokut të Dardan Krivaçës, Arbër Sejdiut i cili po akuzohet nga prokuroria për ndihmë në kryerje të veprës penale të dhunimit dhe vrasjes së rëndë shpjegon natën tragjike ndërsa kishte treguar edhe për zërat që kishte dëgjuar dhe mavijoset në trupin e tashmë të ndjerës 18 vjeçare.

Në aktakuzën e mbajtur më 26 tetor të këtij viti Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu, të akuzuarit për dhunimin dhe vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaji, Marigona Osmani, nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat që ngarkohen nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

I akuzuari kryesor, Krivaqa kur u pyet nga trupi gjykues se a e pranon fajësinë ka shprehur ngushëllime për familjen dhe ka thënë se nuk është e vërtetë dhe nuk ka ndodhur ashtu.

“Nuk jam në gjendje, nuk mund të flas. S’po them as që jam i fajshëm as i pafajshëm, nuk do të deklarohem në këtë fazë”, kishte thënë Krivaqa.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 22 gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmanin.

Në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1,3, 1,4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Krivaqa ekziston dyshimi i bazuar se ai ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Ndërsa, thuhet se i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa, në kryerjen e veprës penale të dhunimit. Me çka akuzohet se kreu veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të KPRK-së.

Megjithatë, rasti i 18-vjeçares ende nuk është zbardhur, ka vazhduar seanca gjyqësore edhe më 9 nëntor të vitit 2022, që në këtë seancë i akuzuari Krivaqa kishte thënë se e ndjera Marigona Osmani, e kishte pranuar se e kishte tradhëtuar atë me djalin e dajës së tij.

Deklaratë kjo e cila u kundërshtua nga Endrit Puka, dëshmitar.

Ndërsa, djali i dajës së Dardan krivaqës ka dëshmuar për rreth 1 orë, duke treguar për raportet që i njëjti ka pasur me Krivaqën dhe me të ndjerën Marigona Osmani.

Sabile Mavrovqanit – viti 2020, Komuna e Kamenicës

Krahas Marigona Osmanit, njihet edhe rasti i Sabile Mavrovqanit. Kjo e fundit u privua nga jeta nga bashkëshorti i saj i cili pas një fjalosjeje, kishte vrarë të ndjerën me një shufër metalike të një gjatësie rreth 73 centimetra dhe e një trashësie 2.2 centimetra, në Kamenicë.

Aktakuza në fjalë, thotë se fillimisht, bashkëshorti i saj Nuhiu kishe goditur atë në parakrahun e dorës së majtë dhe njëherë në anën e majtë të kokës duke rrëzuar të ndjerën në tokë.

Pas dy goditjeve të para, i njëjti kishte vazhduar t’a godas atë me shufër metalike në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit me ç’rast, të ndjerës i shkaktoi plagë të rënda në anën e majtë të kafkës dhe në pjesët e tjera të trupit. Si rrjedhojë e sulmeve të njëpasnjësme, e ndjera nuk arriti të mbijetonte.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com del se Nuhi Mavrovqani edhe para 2- 3 vitesh kishte të iniciuar një rast për rrahje ndaj bashkëshortes së tij, rrahje të cilën e kishte kryer me bisht të shatit.

“Ditën kritike ishte zgjuar herët për të shkuar në punë dhe për shkak se vajzat e tij ishin ankuar se nëna Sabilja po i rrahte dhe për këtë arsye ai nuk kishte shkuar në punë dhe kishte dalë në oborr për të rrafshuar dheun dhe rreth orës 10:00 kishte hyrë brenda në shtëpi ku i kishte ndërruar fëmijët dhe ishte përgatitur ushqim për ngrënje dhe fëmijët i kishte vënë në gjumë. Pas pak kohe kishte kërkuar nga e ndjera Sabilja nëse e ka përgatitur ushqimin dhe në ato momente kishte filluar mosmarrëveshja ndërmjet tyre ku e kishte goditur me grusht në kokë dhe kishte dalë jashtë në oborr e kishte marrë një gyp të hekurit dhe me të njëjtën e kishte goditur në kokë tani të ndjerën duke e rrëzuar në tokë dhe nuk i kujtohet se ku dhe sa herë e ka goditur tani të ndjerën të cilën e kishte gjakosur dhe nuk i kishte ofruar ndihmë e pastaj kishte marrë fëmijët e i kishte nxjerrë nga shtëpia dhe e kishte thirrur vëllain e tij për t’i marrë fëmijët“, ishte përshkrimi që kishte bërë Nuhi Mavrovqani para prokurorit Ismjali duke rrëfyer se si kishte filluar e gjitha.

Bashkëshorti i saj u dënua me burgim të përjetshëm për veprën mirëpo, rasti ishte rikthyer në rigjykim pas anulimit të vendimit të rëndë.

Burri godet gruan dhe të bijën me kallashnikov – 7 korrik 2018

7 korriku i vitit 2018 shënon datën e vdekjes së 34-vjeçares, Valbona Ndrecaj dhe bijës së saj, 9 vjeçare në shatin Brekoc të Gjakovës.

Të ndjerat ishin qëlluar me kallashnikov në kokë, Valbona në kokë dhe gjoks, ndërsa e bija e saj në vesh nga bashkëshorti dhe babai, Pjetri.

Ky I fundit ishte arrestuar disa ditë para vrasjes për sulm ndaj të ndjerës Valbonë dhe i njëjti, pas baraburgimit, ishte përpjekur që me baza kanunore të zgjidhte problemin.

Dëshmitarë i kanë thënë prokurorisë se gjashtë burra duke përfshirë edhe Pjetrin, kishin qëndruar ditën kritike në shtëpinë e familjes së Valbonës dhe me largimin e tyre, Pjetri kishte kërcënuar Valbonën që të rikthehej. Përgjatë ditës, e ndjera kishte pranuar mesazhe kërcënuese nga Pjetri dhe të njëjtin e kishte denoncuar në Polici. Sipas dëshmive, Valbona kishte kërkuar ndihmë duke thënë se bashkëshorti i saj nuk rri asnjëherë pa armë.

Zejnepe Berisha, e goditur 20 herë me thikë nga bashkëshorti – 23 tetor 2015

Zejnepe Berisha është nj tjetër emër që nuk i shmanget rasteve makabër të vrasjeve ndaj grave.

E njëjta ishe vrarë nga bashkëshorti i saj, Nebih Berisha me 20 goditje me thikë, 23 tetor të vitit 2015. Ky I fundit ishte shpallur fajtor edhe për lëndime të lehta trupre ndaj bijës së tij.

Gjykata ia shqiptoi Nebih Berishës dënimin unik prej 12 vjetësh e 6 muaj burg. Krahas kësaj, e  njëjta e obligoi  të akuzuarin të paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 700 eurosh.

Më 4 gusht të vitit 2017, Rrjeti i Grave të Kosovës mbajti protestë paqësore para Pallatit të Drejtësisë, për të kërkuar dënim maksimal për bashkëshortin e së ndjerës, Berishën. Në fund të atij muaji, Gjykata e Apelit i ka shtuar katër vjet e gjysmë dënimit fillestar të vrasësit të Zejnepe Berishës.

Gjykata Themelore në Gjakovë e dënoi me 24 vjet e 6 muaj burgim mirëpo ajo e Apelit e ashpërsoi dënimin duke e dënuar të akuzuarin për veprën penale “Vrasje e rëndë” me 30 vjet burgim.

Donjeta Pajazitaj, 9 nëntor 2015

Naser Pajazitaj akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Viktima ishte marrë nga i pandehuri me veturë, dhe nga po i njëjti, dyshohej se ishte qëlluar me armë dy herë në kokë.

Kufoma e viktimës është gjetur më 17 dhjetor të vitit 2015, në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Kampanja kundër dhunës në baza gjinore nisi me një grua më pak

Lirije Qerimaj, e vrarë nga burri i saj Skender Qerimaj- fshati Lluashë i Skenderajt

Një rast tjetër i raportuar në janar të këtij viti është rasti i një gruaje e cila u vra nga burri i saj në Llaushë të Skënderajt.

Lirije Qerimaj pesë ditë para se të vritej kishte raportuar në polici burrin e saj, e njëjta kishte kërkuar mbrojtje nga shteti po për shkak të festave kërkesa ishte lënë që të dorëzohej në mes të javës kur të përfundonin pushimet.

Në ditën kur pritej të bëhej kërkesa për mbrojtje, ajo ishte vrarë nga burri i saj i cili ishte dorëzuar më pas në polici me të njëjtën armë që kishte kryer ngjarjen.

Lirije Qerimaj ishte qëlluar gjashtë herë me plumba në trup nga Skender Qerimaj.

Rasti ka ndodhur më 5 janar rreth orës 13:47, që Skender Qerimaj 51-vjeçar e kishte qëlluar me armë zjarri të ndjerën Lirije Qerimaj e cila ishte 48- vjeçare.

Atë ditë në fshatin lalushë të Skenderajt kishte arritur Policia dhe Emergjenca në QKMF. Gruaja ishte dërguar me plagë në Spitalin Rajonal, por që e njëjta një orë pasi ka ndodhur ngjarja ka vdekur si pasojë e plagëve të marra.

Rreth orës 14:00 burri i saj, është dorëzuar më pas në Polici dhe ka pranuar se ka vrarë gruan e tij. Madje, ai ishte futur brenda stacionit policor dhe ka dorëzuar një pistoletë të tipit “Zoraki M 906-B” dhe një karikator me tre fishekë.

Rasti u inicua si vrasje e rëndë ndërsa i dyshuara atë kohë u dërgua në mbajtje.

Për këtë rast në janar të po këtij viti, ka dëshmuar djali i të ndjerës.

Sipas dëshmisë së djalit të çiftit, 51-vjeçari kishte tentuar ta mbyste me çarçaf nënën e tij në gusht të vitit të kaluar, gjatë kohës sa kjo ishte në gjumë. Sipas tij, dhuna dhe konflikti në familje kanë ardhë si pasojë e xhelozisë së babait ndaj nënës së tij.

Ky rast ka zgjatur deri në shtatorin e këtij viti që më pas Gjykata e Mitrovicës, Skender Qerimajn e ka dënuar më 24 vjet burg e 500 euro gjobë.

Skender Qerimaj e ka pranuar fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës që i janë ngritur. Kësisoj ai është akuzuar për katër vepra penale: Vrasje e rëndë, Lëndim i lehtë trupor, Dhunë në familje dhe Armëmbajtje pa leje.

Veprën penale të vrasjes, Gjykata e ka dënuar me 22 vjet burg, për dhunë në familje me 1 vjet burgim e 500 euro gjobë, për veprën e mbajtjes së armës pa leje me 1 vjet burgim dhe për lëndim të lehtë trupor me 1 vjet e gjashtë muaj, gjithsej pra 24 vjet burgim.

Statistika nga Policia e Kosovës

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Policia e Kosovës bën të ditur se në vitin 2021, janë evidentuar 2 mijë e 456 raste të dhunës në familje, në këto raste kanë qenë 2 mijë e 486 viktima.

Për sa i përket vrasjeve, në vitin 2020 numërohen 13 të tilla, 7 prej tyre ndaj grave, në vitin 2021 numërohen 3 raste ndaj grave nga 7 në total.

Ndërkaq, përgjatë periudhës janar-tetor 2022 numërohen 4 raste të vrasjeve, njëri nga ta ndaj një gruaje.