Kampanja kundër dhunës në baza gjinore nisi me një grua më pak

Ekzistimi i fushatave sensibilizuese dhe intesiteti i tyre vit pas viti nuk ka munguar. Megjithatë, nuk është e sigurt nëse mund të thuhet e njëjta gjë për raportimin e rasteve të kësaj natyre. Ndonëse këto të fundit janë rritur, njohës të fushës thonë se heshtja ndaj tyre akoma vazhdon





Ndonëse parashihet që kampanja “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore” të jetë një kampanjë sensibilizuese kundër dhunës dhe rasteve me fatalitet që shpeshherë vijnë si rezultat i saj, të premten e 25 nëntorit, kryeqyteti u zgjua me një lajm që i dha më shumë zë dhunës dhe vrasjeve ndaj grave e që njëherit, u shënua me një grua më pak.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti kishte konfirmuar për Portalin Dukagjini se një grua 63-vjeçare ishte privuar nga jeta nga bashkëshorti i saj 70-vjeçar. Më vonë, Prokuroria Themelore në Prishtinë doli me detaje tronditëse.

Në komunikatën e tyre thuhet se burri me inicialet I.G i cili u vetëdorëzua në polici, dyshohet se me sëpatë e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij. Motivet e vrasjes akoma nuk dihen dhe krahas kësaj, duhet theksuar se për rastin e vrasjes së 63-vjeçares nuk u raportua më parë për përdorim të dhunës.

Prokuroria jep detaje, dyshohet se burri e vrau gruan e tij me sëpatë

Rasti raportohet të ketë ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të së premtes, ndërkaq Policia e Kosovës ka pranuar informatën për një trup të pajetë në një shtëpi në rrugën “Mark Isaku”, në Prishtinë rreth orës 04:40.

“Rr. Mark Isaku, Prishtinë 25.11.2022 – 02:00-04:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare. Njësitë relevante policore dhe një ekipet e mjekësisë ligjore kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga stafi përgjegjës i mjekësisë ligjore është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e së shtunës,

Se sa mund të jetë dënimi për 70-vjeçarin dhe kur pritet të trajtohet rasti i tij në Gjykatë duke qenë se punonjësit e gjykatave dhe prokurorive kanë reduktuar aktivitetin e tyre si rrjedhojë e vendimeve të Qeverisë së Kosovës lidhur me pagat, Portali Dukagjini ka kontaktuar me një avokate.

“Në këtë rastin, tash sa kemi informacione preliminare të hetimeve, duket që ka ekzistuar dashja e kryerësit të veprës për me kry këtë vepër. E paraparë me nenin 21 të Kodit Penal të Kosovës, dhe po ashtu nga vepime dhe njohurit që kemi tash për tash, shihet se është vrasje e rëndë edhe nga neni 173 i Kodit Penal, paragrafi 1.4, për arsye se është vrarë anëtari i familjes dhe është vra në mënyrë mizore … për këtë vepër, minimumi i dënimit është 10 vjet ndërsa maksimumi 40 vjet”, ka deklaruar avokatja, Adelina R. Hoxha gjersa ka theksuar se pavarësisht motivit, veprimet janë të qarta dhe se e njëjta beson që shqyrtimi i çështjes do të shkojë shpejt.

Adelina R. Hoxha, avokate

Krahas kësaj, Hoxha konsideron se Gjykatat nuk janë fajtore në numrin e rritjes së vrasjeve ngase të njëjtat, po shqiptojnë dënimet meritore. Sipas saj, është shoqëria ajo që duhet të kontribojë dhe njëherit, të angazhohet në një mirëqënie sociale dhe mentale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ekzistimi i fushatave sensibilizuese dhe intesiteti i tyre vit pas viti nuk ka munguar. Megjithatë, nuk është e sigurt nëse mund të thuhet e njëjta gjë për raportimin e rasteve të kësaj natyre.

Sipas sociologut Jeton Brajshori, raste të tilla nuk kanë të ndalur në vend dhe të njëjtat, konsiderohen të jenë shpeshherë si pasojë e problemeve me shëndetin mendor apo problemet financiare.

“Tek ne ka shumë raste të cilat kanë frikë të denoncohen duke u frikësuar për jetën e tyre sepse edhe institucionet përgjegjëse nuk e kanë kryer punën e tyre si duhet dhe thjesht edhe ka humb besimi në këto institucione nga viktimat. Nëse shikojmë statistikat në nivel global atëherë na del se vetëm 15% e rastve të tilla lajmërohen, numër shumë shqetësues në përgjithësi, ndërsa tek ne edhe pse kohëve të fundit ka më shumë denoncime, numri prap se prap jetë i vogël”, ka deklaruar sociologu, Jeton Brajshori.

Krahas kësaj, Brajshori ka cilësuar rrezikun më të madh atë të legjitimitetit të dhunës. Por sipas tij, një zgjidhje efkase do të ishte reagimi i shpejtë i organeve kompetente, kampanjat sensibilizuese dhe fuqizimi i gruas në shoqëri.

“Rreziku më i madh për një shoqëri është legjitimimi i dhunës! Sistemi patriarkal është ende i pranishëm tek shumica e familjëve gjë që ndikon negativisht në trajtimin të barabartë të gjithë antarëve. Edhe shoqëria në përgjithësi i trajton ndryshe problemet bashkëshortore, duke e minimizuar dhunën. Duhet të kuptohet një herë e përgjithmonë se certifikata martesore nuk e legalizon dhunën! Sa ma shumë kampanja senzibilizuese dhe forcim të rolit të gruas në shoqëri si dhe reagimi i shpejt i organeve kompetente dhe në këtë mënyrë do të zvogloheshin vrasjet e tyre”, ka deklaruar Brajshori.

Sociolog, Jeton Brajshori

Vit pas viti, Policia e Kosovës ka realizuar edhe fushata vetdijësuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente.

“Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme, dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është; si parandalimi për dhunën në njërën anë si dhe trajtimi i rasteve më seriozitet, ka bërë që rastet e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, ndër vite”, ka deklaruar Policia e Kosovës për Portalin Dukagjini, gjersa ka theksuar se rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë duke mos lënë anash praninë e një punëtori të QPS-së në rastet kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë.

Policia e Kosovës bën të ditur se në vitin 2021, janë evidentuar 2 mijë e 456 raste të dhunës në familje, në këto raste kanë qenë 2 mijë e 486 viktima.

Dërguar nga Policia e Kosovës

Për sa i përket vrasjeve, në vitin 2020 numërohen 13 të tilla, 7 prej tyre ndaj grave, në vitin 2021 numërohen 3 raste ndaj grave nga 7 në total.

Ndërkaq, përgjatë periudhës janar-tetor 2022 numërohen 4 raste të vrasjeve, njëri nga ta ndaj një gruaje.

E ftuar në RTV Dukagjini, Besarta Breznica, nga Rrjeti i Grave të Kosovë, ka thënë se kur flasin për dënime të deritanishme të shqiptuara, shpeshherë shihet një tendencë e gjyqtarëve, prokurorët dhe policët burra t’i mbrojnë burrat që kanë kryer vepra penale dhe njëherit, duke dekurajuar viktimat që të ndjekin rrugën ligjore deri në fund.

“Rrjeti i Grave të Kosovës ka materiale të cilat edhe vet gjyqtarët edhe vet prokurorët i kanë dekuraju vikimat që të mos shkojnë më tutje në aspektin e veprave penale pasi nuk ka një zgjidhje konkrete per veprat e tyre penale”, ka thënë ajo gjersa ka theksuar se ka raste të cilat janë cilësuar vetëm si “ngacmim” dhe jo si “ngacmim seksual”, gjë e cila sipas saj është një shqiptim i lehtësuar.

Lidhur me rastin e fundit në Prishtinë kishte reaguar edhe Rrjeti i Grave në rrjetin social, Facebook.

“Në vazhdën e lajmeve të përditshme për ngacmime seksuale, dhunë me bazë gjinore, dhe përdhunime të vajzave, si dhe në ditën kur fillon fushata botërore “16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës ndaj grave”, vrasja e 63 vjeçares në Prishtinë, vetëm se shpërfaq dhe thekson pasojat e rrënjosura të normave patriarkale dhe kulturore në kuadër të të cilave gratë vriten vetëm pse janë gra”, thuhet në postim.

Rasti i sotëm bëri që të reagojnë edhe figurat politike të vendit siç janë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e të tjerë.

Haxhiu: Kërkojmë drejtësi për gratë edhe raste të tilla të mos dëgjojmë më kurrë





Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika