Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Infermierëve, Organizata “Dita e Infermierëve – Nurse Day” e studentëve të drejtimit të Infermierisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, realizoi një anketim me studentët e vitit të parë, të dytë dhe të tretë të këtij drejtimi.
Sipas Leonita Ujkanit, kryetare e organizatës, anketa përfshiu 144 studentë, nga të cilët 123 ishin studente dhe 21 studentë.
Pjesëmarrësit përfaqësojnë rreth 48% të studentëve të këtij drejtimi në Universitetin e Prishtinës. Qëllimi i anketës ishte të zbulohej mendimi i studentëve për perspektivat e punësimit pas diplomimit.
Rezultatet e anketës tregojnë se shumica e studentëve (49.3%) janë të pasigurtë për mundësinë e gjetjes së punës pas diplomimit në Kosovë. 25% mendojnë se do të gjejnë punë brenda një viti, ndërsa 25.7% besojnë se do të duhen më shumë se një vit për të gjetur një vend pune.
Përgjigjet për mungesën e mundësive të punësimit në Kosovë janë shqetësuese. Mungesa e vendeve të punës u përmend nga 88 studentë, ndërsa 79 studentë theksuan pagat e ulëta dhe 62 kërkuan kushte më të mira pune. 60 studentë përmendën nepotizmin si një pengesë të mundshme për punësim.
Nëse nuk do të gjenin punë në Kosovë, një pjesë e konsiderueshme e studentëve (38.9%) shprehën gatishmërinë për të punuar jashtë vendit, ndërsa 44.4% mund ta shqyrtonin mundësinë për t’u larguar. Përdorimi i mundësive jashtë vendit është i lartë, me preferenca për Gjermaninë dhe Zvicrën si destinacione të mundshme për punë, ndërsa shumë pak studentë treguan interes për vende si Suedi, Norvegji dhe SHBA.
Në lidhje me faktorët që ndikojnë në vendimin për të punuar jashtë, shumica e studentëve (115 nga 144) theksuan pagën më të lartë si arsye kryesore, ndërsa 91 studentë u fokusuan në kushte më të mira pune dhe 93 në kualitetin e jetës dhe shërbimet shëndetësore.
“Ne do të jemi zëri i përditshëm i studentëve dhe profesionistëve të Infermierisë,” theksoi Leonita Ujkani, duke shtuar se “Dita e Infermierëve nuk duhet të jetë vetëm më 12 maj – ajo duhet dhe do të jetë ÇDO DITË.”