Driton Dalipi ka ngritur padi për shpifje ndaj shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ndaj PDK-së dhe portalit “Paparaci”, pas akuzave të bëra më 30 maj në një konferencë për media dhe në dy artikuj të publikuar të po asaj date.

Sipas padisë së dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Dalipi pretendon se deklaratat e Tahirit, të bëra në emër të PDK-së, e kanë lidhur atë dhe kompaninë Management & Development Associates L.L.C. (MDA) me veprime të supozuara korruptive dhe me “mafinë energjetike”, pa asnjë fakt apo provë.

Në konferencën për media, Tahiri kishte deklaruar se kompania MDA, e cila është në proces licencimi për tregtim të energjisë elektrike, ka lidhje të drejtpërdrejta me Driton Dalipin, vëllain e shefit të stafit të kryeministrit, Luan Dalipi.

Sipas Tahirit, kjo kompani – e themeluar nga Luan Dalipi dhe tani e drejtuar nga Dritoni – përfaqëson një konflikt interesi dhe përfshirje në një “grup kriminal” që, sipas tij, shfrytëzon institucionet publike për përfitime personale.

“Për besë kjo është e tmerrshme… kur kapen institucionet në këtë formë”, kishte thënë Tahiri në konferencë, duke aluduar për përfshirjen e vëllezërve Dalipi në tregun e energjisë.

LEXO EDHE:

Padia e ngritur kundërshton këto deklarime, duke theksuar se subjekti MDA ka vetëm statusin e një aplikuesi për licencë në ZRrE, gjë që është publike dhe transparente, ndërsa asnjë vendim nuk është marrë ende në lidhje me ndonjë licencim.

Sipas Dalipit, akuzat janë të pabazuara dhe kanë cenuar rëndë dinjitetin dhe integritetin e tij personal e profesional.

Përveç kësaj, padi është ngritur edhe ndaj portalit “Paparaci”, i cili të njëjtën ditë publikoi dy artikuj me tituj: “E provoi fatin”, arsyetimi skandaloz i Luan Dalipit për vëllain që aplikoi për tregti me rrymën – “Thellohet skandali, Luan Dalipi ishte pjesë e strategjisë energjetike ku po e ‘provon fatin’ vëllai i tij”.

Në këtë të fundit, portalit i atribuohet fraza: “…duke forcuar edhe më shumë mafinë energjetike”, si dhe supozimi se Dalipi ka pasur qasje në dokumente strategjike që nuk i kanë pasur kompanitë e tjera.

Pala paditëse e ka cilësuar këtë si shpifje të pastër, pa asnjë argument apo fakt të bazuar.

Përmes padisë, Driton Dalipi kërkon që gjykata:

  • Të konstatojë se deklaratat e Tahirit dhe publikimet e Paparacit janë shpifëse, fyese dhe të pavërteta;
  • Të detyrojë të paditurit të kërkojnë falje publike dhe të publikojnë përgënjeshtrime;
  • Të kompensojnë shpenzimet e procedurës brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Si prova, Dalipi ka dorëzuar video-inçizimin e konferencës për media dhe artikujt e publikuar në gazetën “Paparaci”.