Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj i ka dhënë shtetësinë shqiptare Dua Lipës, këngëtares nga Kosova, e cila është e famshme tashmë në të gjithë botën.

Presidenti Begaj ka pritur këtë të diel artisten e mirënjohur dhe vlerësoi talentin e saj, shpirtin artistik si dhe angazhimin e saj në mbështetje të kauzave sociale.

“Kënaqësi e veçantë t’i dorëzoja dekretin e shtetësisë shqiptare këngëtares së talentuar dhe të famshme në të gjithë botën! Në vigjilje të 110-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, nderojmë jo vetëm ato personalitete që në të shkuarën kontribuuan dhe ndihmuan në krijimin e shtetit të ri shqiptar, por edhe të gjithë ata që me kontributin e tyre në çdo fushë të jetës i japin vlerë identitetin shqiptar dhe na bëjnë krenarë në çdo moment”, ka thënë Begaj.

Një yll i muzikës botërore, e cila lindi në Londër në 22 gusht 1995 në një familje shqiptare nga Kosova. Ajo u shkollua mes Londrës dhe Prishtinës, ku familja e saj u vendos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Dua Lipa dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj

Talenti i lindur dhe përkushtimi për botën e muzikës dhe artit e ndihmoi atë të prek majat e karrierës artistike që në moshë të re.

Tashmë ajo numëron shumë çmime e vlerësime për kontributin e saj në muzikë dhe art, përfshirë edhe tre çmime Grammy.

Sukseset e saj janë të njëpasnjëshme pasi këngëtarja kosovare më 30 shtator kishte arritur një tjetër sukses duke thyer një rekord në platformën e transmetimit të muzikës, Spotify.

Tri herë fituesja e çmimit “Grammy”, ka hyrë në historinë e platformës Spotify, pasi albumi i saj “Dua Lipa full edition” ka kaluar shifrën 10 miliardë “streams”.

Gjithashtu, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kishte nderuar Lipën me titullin ‘Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës’.