Ka diçka thellësisht tragjikomike në mënyrën se si Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i përjeton disfatat në zgjedhje. Jo si një alarm, as shuplakë politike, por si një mister metafizik. Si një dukuri e pashpjegueshme që i ndodh vetëm asaj. Si një fat i keq që zbret nga qielli dhe ia merr votat.
Në vitin 2021, pas rënies spektakolare, Isa Mustafa doli me një fjali që do të duhej të hynte në antologjinë e vetëkeqardhjes politike: “Do të isha i lehtësuar po ta dija pse qytetarët e ndëshkuan me votë LDK’në”. Ishte një rrëfim që në dukje tingëllonte i sinqertë. Por, në thelb, ishte pranim i një shurdhërie të thellë politike. Një parti që ka qeverisur vendin, që ka qenë shtylla e shtetit, që ka prodhuar kryeministra e ministra, nuk e di pse ndëshkohet nga qytetarët.
Pesë vjet më vonë, në studion e emisionit “Debat Plus”, kryetari aktual Lumir Abdixhiku e artikuloi të njëjtën habi me fjalë të tjera: “Vetëm LDK’së i humbasin votat… Duhet ta kuptojmë pse po na ndodhë kjo”. Pra, më 2021: “S’e di pse na ndëshkuan”. Më 2026: “Duhet ta kuptojmë pse po na ndodh”. E njëjta logjikë. E njëjta mendësi. E njëjta mjegull.
LDK’ja vazhdon të sillet si viktimë e një komploti elektoral ku fajtorët janë gjithmonë jashtë saj: klima politike, polarizimi, propaganda, emocionet, mediat, rrjetet sociale, kundërshtarët, sistemi. Krejt kanë faj. Veç LDK është në rregull.
Në paraqitjen e tij në “Debat Plus”, Abdixhiku u përpoq të projektojë qetësi dhe racionalitet. Ai foli për nevojën e analizës, për reflektim, për “kuptim të thellë” të fenomenit të humbjes së votave. Por ajo që mungonte ishte një fjali e thjeshtë: “Ne kemi gabuar.”
Sepse humbjet në demokraci nuk janë aksidente kozmike. Ato janë pasoja. Janë përgjigje.
LDK’ja sillet sikur vota është një akt misterioz që qytetari e hedh pa arsye, pa logjikë, pa mesazh. Sikur qytetari zgjohet një mëngjes dhe vendos, në mënyrë të pakuptimtë, t’ia heqë besimin një partie që – sipas zyrtarëve të saj – është në rregull.
Në fakt, problemi i LDK’së nuk është se “nuk e di” fajtorin. Problemi është se nuk do ta pranojë. Sepse fajtorin e ka para pasqyrës.
LDK’ja pagoi çmimin e koalicioneve të pashpjegueshme, të pazareve të pakuptueshme, të rrëzimeve të qeverive në kohë pandemie, të mungesës së identitetit të qartë opozitar, të një retorike që shpesh ishte më e ashpër ndaj rivalëve tradicionalë, sesa ndaj pushtetit. Pagoi çmimin e elitizmit të mbyllur, të strukturave të vjetra që riciklohen, të një partie që shpesh dukej më e preokupuar me balancat e brendshme, sesa me qytetarin. Por, as Mustafa më 2021, as Abdixhiku më 2026 nuk e artikulojnë këtë si përgjegjësi të drejtpërdrejtë.
Ka diçka të përbashkët në qasjen e tyre: bindja e heshtur se LDK’ja është “e natyrshme” për pushtet. Se ajo është standardi. Se kur ajo humb, diçka nuk është në rregull me elektoratin, jo me partinë. Kjo është mendësia më e rrezikshme për një parti politike: superioriteti moral i pakontestueshëm. Ideja se “ne jemi mirë, por qytetarët s’po na kuptojnë”.
Në “Debat Plus” Abdixhiku foli për fenomenin e “rrëshqitjes së votave” dhe për faktin se vetëm LDK’së i ndodh kjo. Por kjo nuk është mallkim biblik. Është krizë besimi. Dhe kriza e besimit nuk zgjidhet me terminologji akademike, por me vetëkritikë.
* * *
LDK’ja ka hyrë në një cikël ku humbja trajtohet si mister, jo si mësim. Çdo palë zgjedhje shoqërohen me një analizë të brendshme që rrallë prodhon përgjegjësi konkrete. Nuk sheh dorëheqje morale. Nuk sheh ndryshim rrënjësor kursi. Sheh vetëm riformulim narrativi.
Më 2021 partia u trondit nga rënia drastike. U premtua reformë. U premtua hapje. U premtua “rrugë e re”. Sot, pesë vjet më vonë, retorika është e njëjtë: duhet ta kuptojmë pse po na ndodh.
Nëse pas pesë vjetësh ende je në fazën e “duhet ta kuptojmë”, atëherë problemi nuk është mungesa e analizës. Është refuzimi për ta pranuar përfundimin.
Sepse përfundimi është i dhimbshëm: qytetarët nuk e kanë ndëshkuar LDK’në pa arsye. Ata e kanë ndëshkuar për mënyrën se si është sjellë. Për paqartësinë. Për mungesën e guximit për ta rikonceptuar veten. Për një opozitarizëm të vakët dhe për një pushtet të mëparshëm që la më shumë dilemma, sesa krenari. LDK’ja nuk është viktimë e fatit. Është viktimë e vetëkënaqësisë.
Kur Abdixhiku thotë se “vetëm LDK-së i humbasin votat”, ai në fakt pranon diçka më të thellë: se partia ka një problem specifik me ruajtjen e elektoratit. Por ky problem nuk zgjidhet me habi publike. Zgjidhet me përgjegjësi politike. Dhe përgjegjësia fillon me pranimin se liderët – të djeshëm e të sotëm – kanë pjesën e tyre të fajit. Nuk mjafton të thuash se do ta analizosh fenomenin. Duhet të tregosh se e kupton. Duhet ta artikulosh qartë: kemi gabuar këtu, këtu dhe këtu. Por, kjo kërkon një kulturë politike që LDK’ja ende duket se nuk e ka ndërtuar plotësisht: kulturën e llogaridhënies së brendshme.
Isa Mustafa më 2021 u shpreh i lehtësuar po ta dinte arsyen. Lumir Abdixhiku më 2026 thotë se duhet ta kuptojnë pse po ndodh. Dy fjali të ndara nga pesë vjet, por të bashkuara nga e njëjta verbëri politike. Në politikë, mosdija e përsëritur nuk është pafajësi. Është problem. Dhe sa kohë që LDK’ja vazhdon të kërkojë fajtorë jashtë vetes – në rrethana, në klimë, në kundërshtarë – ajo do të vazhdojë të humbasë jo vetëm vota, por kuptimin e vet. Sepse një parti që nuk e di pse humb, në fakt e di shumë mirë. Thjesht nuk ka guximin ta thotë me zë. Krejt kanë faj, veç LDK është në rregull. Deri në zgjedhjet e ardhshme. Deri në habinë e radhës.