Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë procesit zgjedhor në rajonin e Prishtinës janë hapur dy raste të veprës penale “Asgjësim i dokumentit të votimit”.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti per Portalin Dukagjini ka njoftuar se rastet janë regjistruar në Prishtinë dhe Drenas, ku dyshohet se persona të ndryshëm kanë dëmtuar fletëvotimet.
“Deri tani në rajonin e Prishtinës janë hapur dy raste ‘Asgjësim i dokumentit të votimit’ (në Drenas dhe në Prishtinë), ku dyshohet se nga personat e dyshuar janë dëmtuar (shqyer) fletëvotimet”, ka deklaruar Ahmeti.
Sipas saj, të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që veprimet hetimore po kryhen në koordinim me prokurorinë”, thuhet në përgjigjen e Ahmetit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet lidhur me këto raste janë në vazhdim.