Dyshime për dallavere me patentë shoferë, arrestohen tre të dyshuar në Prizren
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin e tre personave të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Në një njoftim për media thuhet se zyrtarë të një klinike mjekësore me seli në Prizren kanë lëshuar certifikata mjekësore për kandidatët që e kanë paraqitur testin për patentë shofer, pa qenë fizikisht në klinikë. “Hetuesit policorë […]
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin e tre personave të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në një njoftim për media thuhet se zyrtarë të një klinike mjekësore me seli në Prizren kanë lëshuar certifikata mjekësore për kandidatët që e kanë paraqitur testin për patentë shofer, pa qenë fizikisht në klinikë.
“Hetuesit policorë nga Sektori për Hetime Financiare/Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), e kanë trajtuar informatën ku dyshohet se zyrtarë të një klinike mjekësore me seli në Prizren, lëshojnë certifikata mjekësore për kandidatët të cilët paraqesin provimin për patentë shofer, pa qenë fizikisht prezent në klinikë dhe pa ua bërë kontrollin mjekësor”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, sipas Policisë, “dyshohet se kjo klinikë bashkëpunon me dy autoshkolla, njëra me seli në Prizren dhe tjetra me seli në Malishevë. Dyshohet se edhe autoshkollat kanë lëshuar vërtetime për aftësimin e kandidatëve në pjesën teorike dhe praktike pa qenë kandidatët fare prezent në Kosovë”.
Tre të dyshuarit janë intervistuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Sot, më 18.01.2024, nën dyshimin e përfshirjes në veprat penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘legalizim i përmbajtjes se rreme, policia ka arrestuar tre të dyshuar: I.G., (viti i lindjes 1962, mashkull kosovar), U.M., (viti i lindjes 1975, mashkull kosovar) dhe L.B.., (viti i lindjes 1975, mashkull kosovar). Personat e dyshuar janë shoqëruar në zyrat e DHKEK në Prizren, të cilët janë intervistuar, pastaj me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri 48 orë”, thuhet në njoftim.















