Një person është intervistuar të mërkurën në Han të Elezit, pasi dyshohet se në lokalin e tij, pas konsumimit të ushqimit, janë helmuar disa persona.
Rasti po hetohet për “prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor”.
“Hani i Elezit 13.07.2026 – NN. Me 15.07.2026 në cilësinë e të dyshuarit, në stacion policor është intervistuar një mashkull kosovar për shkak të dyshimit se në lokalin e tij pas konsumimit të ushqimit janë helmuar disa persona. Rasti është duke u hetuar për të cilin është njoftuar prokurori i cili ka autorizuar të iniciohet lënda e rastit”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Rasti vjen pasi të mërkurën u raportua se 65 persona dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në dy piceri në Han të Elezit. Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë, Kimete Kuka, ka bërë të ditur se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor, ka marrë mostra nga lokalet dhe se priten rezultatet laboratorike.
Sipas saj, rastet e para me simptoma të helmimit janë paraqitur të hënën rreth orës 16:00 dhe kanë vazhduar deri në orët e hershme të mëngjesit të së martës. Tre persona janë referuar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka njoftuar se nga 13 deri më 15 korrik, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare janë trajtuar 110 persona me simptoma të gastroenteritit. Sipas tij, vetëm pesë pacientë janë referuar për trajtim të mëtejmë në Spitalin Rajonal të Ferizajt dhe në QKUK.
Ballazhi ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë kësaj periudhe janë administruar rreth 300 terapi venoze, duke theksuar se QKMF-ja ka në dispozicion terapi dhe materiale të mjaftueshme për trajtimin e të gjithë pacientëve.
Në ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka intensifikuar kontrollet zyrtare pas rasteve të raportuara të helmimit të dyshuar në Han të Elezit dhe Prishtinë. Sipas AUV-së, inspektorët veterinarë kanë kryer kontrolle emergjente, duke verifikuar kushtet higjieno-sanitare, procedurat e vetëkontrollit të operatorëve, dokumentacionin, gjurmueshmërinë e produkteve dhe lëndëve të para, si dhe kanë marrë mostra për analiza laboratorike mikrobiologjike.
Autoritetet kanë bërë të ditur se rezultatet e analizave do të përcaktojnë shkakun e helmimit të dyshuar, ndërsa hetimet policore dhe inspektuese janë ende në zhvillim.
100 qytetarë të helmuar në Han të Elezit, në QKUK konfirmohen disa me salmonelë