I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të premten se propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, është rruga më e mirë për të çuar përpara marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve drejt një paqeje të qëndrueshme.
Escobar tha se bashkësia ndërkombëtare kërkon që Kosova të përmbushë detyrimin ligjor për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Escobar tha se “Kurti nuk nuk ka nevojë të pajtohet, Kosova është pajtuar”, duke theksuar se “një person, një palë nuk mund të shmangë atë. Ky është një detyrim ekzistues. Kosova është pajtuar tashmë si qeveri. Çështja është se si do të zbatohet”, ka thënë Escobar për “Zërin e Amerikës“.
Ai tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk mund ta shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar.
“Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit. Ne do të fillojmë këtë muaj të flasim me njerëzit që kanë ide shumë të mira dhe ne në fakt flasim për madhësinë e klasave në shkolla, mbledhjen e mbeturinave, apo shërbimet e ndihmës mjekësore, asgjë frikësuese. Ne flasim se si ta bëjmë veriun e Kosovës më funksional dhe më të lidhur me qeverinë në Prishtinë. Ne do ta bëjmë këtë. Çështja është se në ç’pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare e pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë’, ka thënë Escobar.
Escobar theksoi se Asociacioni dhe propoziimi franko-gjerman nuk janë tërësisht të lidhura.
“Më lejoni të them se këto dy çështje nuk janë tërësisht të lidhura. Asociacioni është një detyrim ekzistues që duhet të zbatohet. Propozimi franko-gjerman është shumë i mirë për të çuar përpara marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve drejt një paqeje të qëndrueshme. Ne do të punojmë njëkohësisht sepse i duam të dyja”, ka shtuar Escobar.
Escobar: Do të donim një marrëveshje sa më shpejt mes Kosovës dhe Serbisë