Escobar: Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit duhet të nisë me Asociacionin

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është i fokusuar në të drejtat e pakicave, veçanërisht të serbëve, dhe sipas tij, zbatimi i marrëveshjes së Ohrit duhet të fillojë me Asociacionin

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve duhet të nisë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“BE-ja dhe SHBA-ja janë të fokusuara që kjo marrëveshje [e arritur në Ohër] të bëhet realitet. Implementimi nis me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Escobar gjatë një konference për media, të mbajtur online.

“Normalizimi është i përqendruar në të drejtat e pakicave, veçanërisht të serbëve. Është pritshmëria dhe kërkesa jonë që të ecim përpara me këtë”, ka shtuar ai.

Tutje, Escobar ka thënë se puna për themelimin e Asociacionit ka nisur por se “duhet të shtyjmë vazhdimisht përpara derisa të arrijmë një model”.

Escobar ka thënë që pret të ketë një takim mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq brenda dy javëve “për ta diskutuar këtë proces sërish”.

“Ky proces është i rëndësishëm dhe është shumë e rëndësishme që të dyja palët, veçanërisht Kosova, që ta marrin seriozisht këtë proces dhe të lëvizin në mënyrë të përshpejtuar për ta përfunduar atë”, ka shtuar ai, raporton REL.

Escobar ka thënë se të dy propozimet e statutit – të Kurtit dhe të ekipit menaxhues, të paraqitura në Bruksel – ishin serioze, por “nuk më takon mua të vendos nëse është serioz, nuk është një proces i ndërmjetësuar nga Amerika, por proces i ndërmjetësuar nga Evropa”.

I pyetur nëse Serbia e shkeli marrëveshjen kur ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Escobar ka thënë se nuk është i sigurt për këtë gjë.

“Nuk jam i sigurt nëse ishte shkelje. Kjo varet nga Bashkimi Evropian, që është garantues i marrëveshjes. Procesi i implementimit nuk ishte vendosur në atë kohë kur u bë votimi, nuk e di nëse Serbia ishte e detyruar të mos e bllokonte [votonte kundër]”, ka thënë Escobar.

Deklaratat e Escobarit vijnë një ditë pas takimit në Bruksel të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, së bashku me ndërmjetësit evropianë, Miroslav Lajcak dhe Josep Borrell.

Gjatë këtij takimi, liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë shprehur qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por janë pajtuar për Deklaratën e të Zhdukurve nga koha e luftës.

Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1 mijë e 600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99.

Ndërsa, draft-statuti për formimin e Asociacionit, i prezantuar nga ekipi menaxhues i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, është kundërshtuar nga Kurti.

Kurti ka thënë se “qartazi ekziston dëshira për një Republikë Sërpska në Kosovë dhe kjo dëshirë e ka shkruar këtë statut”, teksa propozoi një draft-vizion të tij.

Vuçiq, në anën tjetër, ka thënë se Kosova “ose do ta pranojë atë për të cilën është rënë dakord në vitin 2015, ose do të jetë fundi i gjithçkaje”.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Borrell, ka thënë se ai kishte pritur që të ketë qëndrime të ndryshme nga dy palët për natyrën e Asociacionit, por shtoi se me paraqitjen e draft-statutit për Asociacionin në tryezë, Kosova dhe Serbia “morën një hap simbolik” drejt themelimit të tij.

Ai ka thënë se në takim u diskutua edhe për situatën në terren, sidomos në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika