Farsa e Lumirit

Kur Lumir Abdixhiku deklaron se “për dorëheqje vendos partia”, ai në fakt po thotë se nuk e ndjen veten personalisht përgjegjës. Ky është keqkuptim i rolit të liderit. Është, thjeshtë, një farsë. Dorëheqja nuk është vendim kolektiv, është akt individual përgjegjësie. Lideri nuk pret votë për të pranuar fajin. Ai e bën këtë, sepse e kupton peshën e pozitës që mban

Humbja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit nuk ishte thjesht një disfatë elektorale. Ishte sinjal i qartë se diçka thelbësore nuk funksionon më në këtë parti. Por ajo që e bëri humbjen edhe më problematike ishte mënyra se si u trajtua pas zgjedhjeve: pa reflektim, pa përgjegjësi dhe me një arrogancë që nuk i shkon një partie që pretendon kulturë demokratike dhe traditë shtetformuese.

Në vend që humbja të shërbente si moment kthjellimi, LDK zgjodhi vetëkënaqësinë. Diskursi paszgjedhor ishte i mbushur me fraza të konsumuara për “programin më të mirë”, për “fushatë dinjitoze” dhe për “vlera që nuk u kuptuan nga qytetarët”. Kjo është mënyra më e shpejtë për ta humbur kontaktin me realitetin. Në demokraci nuk fitojnë programet që vetëshpallen më të mirat, por ato që qytetarët i votojnë.

LDK humbi dhe në vend që ta pranojë këtë fakt të thjeshtë, u soll sikur kishte fituar një betejë morale. Por, politika nuk është garë morali, është garë besimi. Dhe kur besimi mungon, asnjë program nuk ka peshë. Problemi nuk është se qytetarët nuk e kuptuan LDK’në – problemi është se LDK nuk arriti t’i bindë qytetarët. Dhe, në qendër të kësaj krize qëndron lidershipi.

Lumir Abdixhiku ishte kryetar partie, bartës i fushatës dhe “fytyra” e LDK’së në këto zgjedhje. Humbja ndodhi nën udhëheqjen e tij. Ky nuk është interpretim, është fakt. Por, në vend të një dorëheqjeje të qartë dhe të parevokueshme, po shihet një përpjekje e tij për ta relativizuar përgjegjësinë, duke u fshehur pas procedurave partiake.

Kur një kryetar thotë se “për dorëheqje vendos partia”, ai në fakt po thotë se nuk e ndjen veten personalisht përgjegjës. Ky është keqkuptim i rolit të liderit. Dorëheqja nuk është vendim kolektiv, është akt individual përgjegjësie. Lideri nuk pret votë për të pranuar fajin. Ai e bën këtë, sepse e kupton peshën e pozitës që mban.

Fshehja pas statutit dhe organeve partiake është shenjë e dobësisë politike. Në momente krize, procedurat nuk mjaftojnë. Ato mund të jenë të ligjshme, por nuk janë domosdoshmërisht legjitime në sytë e opinionit publik. Dhe politika, në fund, jeton nga perceptimi publik.

 

* * *

Edhe më problematik ishte toni i zyrtarëve partiakë ndaj qytetarëve. U krijua një narrativë e rrezikshme se LDK kishte bërë gjithçka mirë, por votuesit nuk e kishin vlerësuar siç duhet. Kjo është arrogancë e pastër. Qytetari nuk i ka borxh asnjë partie votën e tij. Çdo votë fitohet, nuk trashëgohet dhe nuk imponohet me moralizim.

LDK u soll si parti e zhgënjyer nga populli, jo si parti e zhgënjyer nga vetja. Kjo qasje e përmbys logjikën demokratike. Kur një parti fillon t’i fajësojë votuesit për humbjen e saj, ajo ka hyrë në një spirale vetizolimi politik. Historia e politikës është e mbushur me parti që u shuan pikërisht për këtë arsye.

Kjo humbje nuk erdhi rastësisht. Ajo ishte rezultat i një lidershipi të ftohtë, të distancuar dhe të fokusuar më shumë në imazh, sesa në përmbajtje. LDK nuk arriti të krijojë emocion, energji dhe ndjenjë shprese. Nuk mjafton korrektësia teknike për të fituar zgjedhje. Njerëzit votojnë për ata që i ndjejnë afër, jo për ata që duken të rregullt në prezantime.

Reflektimi i vërtetë kërkon guxim. Kërkon pranim faji, ndryshim real dhe hapje të sinqertë ndaj kritikës. Pa këto çdo analizë është farsë, çdo reformë është kozmetike dhe çdo premtim për të ardhmen është bosh.

LDK sot është në udhëkryq. Ose e pranon humbjen si mësim të hidhur dhe ndryshon rrënjësisht, ose vazhdon të jetojë me iluzionin e fitores morale. Rruga e dytë dihet ku çon.

Sepse në fund, humbja nuk është turp. Turp është të humbësh, të mos reflektosh dhe të sillesh sikur ke fituar.

Ajo çfarë po bën Lumir Abdixhiku është farsë. Nuk është jetësim i standardit të pranuar nga vetë ai në vitin 2021, kur thoshte se për rezultatet e rënda e jo të mira “largohemi, vazhdojmë, vijnë të tjerët”. Për LDK’në, më rëndë se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit ëshë “veç deka”.

Të fundit nga rubrika