Drejtori i Përgjithshëm i Institutit “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, ka paralajmëruar se procesi i ardhshëm zgjedhor në Kosovë mund të përballet me ndërhyrje të jashtme, dezinformim, presione politike dhe kërcënime hibride, duke theksuar se integriteti zgjedhor duhet të shihet si pjesë e sigurisë kombëtare.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Fetoshi tha se ndërhyrjet në proceset zgjedhore janë bërë gjithnjë e më shqetësuese, sidomos në kontekstin e luftës hibride dhe qëllimeve të akterëve që synojnë destabilizimin e demokracive.
“Proceset zgjedhore janë target i aktiviteteve ndërhyrëse malinje, për shkak se ato përfaqësojnë ndoshta dimensionin më vital të funksionalitetit të demokracisë”, deklaroi Fetoshi gjatë diskutimit me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Sipas tij, në rastin e Kosovës, rreziku është edhe më specifik për shkak të raportit me Serbinë dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Beogradit për të ndikuar në zhvillimet politike dhe institucionale në vend.
“Ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë i përfshijnë të gjithë ekosistemin, edhe në nivelin politik, edhe në nivelin informativ, edhe në atë të sigurisë”, tha ai.
Fetoshi theksoi se një prej objektivave kryesore të Serbisë është kontrolli i përfaqësimit politik të komunitetit serb në Kosovë.
“Qëllimi strategjik i Serbisë kundër Kosovës është që të mos e lejojë pluralizmin demokratik te komuniteti serb. Të kontrollojë votën e qytetarëve serbë, e cila duhet të përqendrohet vetëm te Lista Serbe”, u shpreh ai.
Ai shtoi se, sipas tij, Lista Serbe përfaqëson politikat e Beogradit në Kosovë.
“Lista Serbe është subjekt përfaqësues i politikave të Beogradit kundrejt Kosovës”, tha Fetoshi.
Duke folur për format e presionit, Fetoshi përmendi shantazhin, kërcënimet, frikësimin, largimet nga puna dhe presionet fizike ndaj rivalëve politikë të Listës Serbe.
“Historia e ndërhyrjeve të Serbisë në zgjedhjet në Kosovë është e dhunshme”, deklaroi ai shkruan Telegrafi përcjell Dukagjini.
Fetoshi foli edhe për propagandën dhe narrativat që, sipas tij, përdoren nga Serbia kundër Kosovës, duke thënë se ato shpesh synojnë ta paraqesin Kosovën si kërcënim për serbët.
“Propaganda serbe është e stërmbushur me fabrikime kinse të incidenteve ndëretnike, në funksion të narrativës së tyre që regjimi në Prishtinë po angazhohet për ta bërë të padurueshme jetën për serbët në Kosovë”, tha Fetoshi.

Sipas tij, këto narrativa kanë për qëllim nxitjen emocionale të qytetarëve serbë dhe krijimin e mosbesimit ndaj institucioneve të Kosovës.
“Në kuptimin narrativ, ata vazhdimisht kanë përdorë edhe instrumentet e spiunazhit, edhe rrjetet që i kanë këtu”, shtoi ai.
Fetoshi tha se Kosova ka nevojë për mekanizma më të fuqishëm institucionalë kundër dezinformimit, duke përmendur nevojën për një qendër nacionale kundër dezinformimit.
“Ne kemi insistu ka kohë që Kosova të lëvizë, ashtu siç kanë lëvizë vende të NATO-s, me një Qendër Nacionale Kundër Dezinformimit. Për fat të keq, institucionet nuk kanë lëviz në këtë drejtim”, deklaroi ai.
Ai theksoi se institucionet duhet të kenë kapacitete më të mëdha për reagim të shpejtë ndaj dezinformatave dhe inskenimeve të mundshme.
“Të rriten kapacitetet e institucioneve për t’iu përgjigjur sa më shpejt që është e mundshme çfarëdo inskenimi eventual që Serbia tenton të prodhojë”, tha Fetoshi.
Duke folur për rolin e mediave, ai tha se sistemi medial në Kosovë ka përgjegjësi të madhe në mbrojtjen e hapësirës informative.
“Sistemi i mediave në Kosovë e ka për detyrë që të jetë më i kujdesshëm në mbrojtjen e integritetit të hapësirës informative në Kosovë”, tha ai.
Fetoshi shtoi se mbrojtja e hapësirës informative lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e zgjedhjeve dhe funksionimin demokratik të vendit.
“Në qoftë se arrijmë me e mbrojtë hapësirën informative, ne e kemi mbrojtur edhe procesin zgjedhor. Në qoftë se e mbrojmë procesin zgjedhor, ne prodhojmë institucione të qëndrueshme”, u shpreh ai.

Në fund, Fetoshi dha edhe rekomandime për institucionet e Kosovës, duke kërkuar koordinim më të madh mes institucioneve të sigurisë, KQZ-së, institucioneve të sigurisë kibernetike dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Është e domosdoshme që institucionet e sigurisë të vazhdojnë me një koordinim të plotë e efikas për të reaguar sa më herët që është e mundshme ndaj çfarëdo shenje të formave të presionit mbi qytetarët serbë”, tha ai.
Ai kërkoi vëmendje të shtuar edhe në sigurinë kibernetike gjatë procesit zgjedhor.
“Vëmendja e institucioneve të sigurisë kibernetike duhet të jetë e shtuar, për shkak se e kaluara ka treguar për tendenca të vazhdueshme të ndërhyrjes minuese në infrastrukturën kritike të Republikës së Kosovës”, deklaroi Fetoshi.
Sipas tij, fokusi kryesor duhet të jetë në pjesën veriore të vendit, por pa u përjashtuar edhe pjesët tjera të Kosovës./Telegrafi