Në Byrgenstok të Zvicrës tashmë ka filluar punimet samiti për Ukrainën ku po marrin pjesë liderët e më shumë se 90 vendeve dhe institucioneve të ndryshme.

Në këtë samit nuk është ftuar Rusia, ndërsa Kina nuk po merr pjesë.

Bisedimet në samitin në Zvicër përqendrohen në shqetësime më të gjëra të shkaktuara nga lufta si, ushqimi, siguria bërthamore dhe liria e lëvizjes.

Që nga fillimi i pushtimit rus mbi Ukrainë më 2022, ky samit është më i madhi i organizuar për Ukrainën, transmeton Reuters përcjell Portali Dukagjini.

Më shumë se 90 vende e institucione të ndryshme po marrin pjesë në samitin që po mbahet në Resortin Burgenstock mbi Liqenin e Lucernit.

Qëllimi i këtij samiti është diskutimi mbi parimet bazë për dhënien fund të luftës në Ukrainë.

Megjithatë, aktorët kryesorë nuk po marrin pjesë në samit. Presidenti rus Vladimir Putin, dje, madje ka caktuar kushtet e tij për çfarëdo negociata apo armëpushimi duke kërkuar kapitullimin e Ukrainës, thënë ndryshe Putin ka kërkuar heqjen dorë të Ukrainës nga rajone Donjetsk, Luhansk, Herson dhe Zaporizhia e madje ka kërkuar edhe heqjen e të gjitha sanksioneve të perëndimit të vëna ndaj vendit të tij.

Kurse Kina nga ana tjetër ka thënë se nuk do të marrë pjesë në Samitin e Zvicrës nëse Rusia nuk do të jetë pjesëmarrëse aty.

Zviceranët shpresojnë që Samiti për Ukrainën mund të prodhojë skicat e para të një procesi të mundshëm të paqes.

Para fillimit zyrtar të Samitit, zv/presidentja amerikane Kamala Harris është takuar me presidentin Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Kosova në këtë samit po përfaqësohet nga Presidentja Vjosa Osmani.

Ajo para fillimit të takimit është takuar me zv presidenten amerikane Kamala Harris të cilës sipas Osmanit i ka përcjellë urimet e popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhduar të SHBA-ve ndaj vendit tonë.

Osmani takon zv.presidenten amerikane Harris: Mirënjohës për mbështetjen e palëkundur amerikane