Flamujt e NATO-s ngrihen në Helsinki, teksa Finlanda pritet t’i bashkohet aleancës

Flamujt kaltër e bardhë të NATO-s valëviten në sfondin e qiellit të thellë blu të Helsinkit derisa Finlanda është në prag të hyrjes së saj historike në NATO të martën, një hap që dyfishon kufirin e aleancës perëndimore me Rusinë dhe i jep fund dekadave të mosangazhimit për kombin nordik

Flamujt e NATO-s dhe Finlandës valëviten mbi ndërtesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Helsinki, Finlandë. 4 prill 2023.

Nga 4 prilli, Finlanda do të jetë anëtarja më e re, e 31-ta, e NATO-s. Ceremonia e pranimit pritet të zhvillohet sot në orën 15:30 në Bruksel.

Ndërkohë, në Helsinki flamujt e NATO-s u ngritën së bashku me flamurin kombëtar finlandez para ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, një ndërtesë që fillimisht u ndërtua për ushtrinë e Perandorisë ruse në shekullin XIX.

Aplikimi për anëtarësimin e Finlandës në aleancën ushtarake është nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur më 24 shkurt 2022.

Finlanda ndan një kufi të gjatë, prej mbi një mijë kilometrash, me Rusinë.

Suedia, po ashtu, ka aplikuar për anëtarësim në NATO, në të njëjtën kohë me Finlandën, mirëpo Turqia është duke e bllokuar me arsyetimin se është duke mbështetur “terroristët”.

Çdo zgjerim i NATO-s duhet të bëhet me mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare – pra ratifikimin e aplikimit për anëtarësim me qëllim që të pranohen shtetet e tjera, raporton AP.

Finlanda, Suedia dhe Turqia në qershorin e vitit të kaluar arritën një marrëveshje trepalëshe, por Ankaraja pezulloi negociatat me Suedinë pas një proteste të mbajtur në janar në Stokholm, ku para ndërtesës së Ambasadës turke u dogj një Kuran.

Më saktë, Ankaraja dëshironte që Helsinki dhe Stokholmi të mbajnë qëndrim më të ashpër kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë, si dhe ndaj një grupi tjetër të cilin e fajëson për përpjekjen e vitit 2016 për grusht shteti.

Por, më 9 mars, dy shtetet rinisën bisedimet në Bruksel.

Erdogan tha se anëtarësimi i Suedisë në aleancën ushtarake perëndimore do të varet drejtpërdrejt në masat që ndërmerr sa u përket kërkesave turke lidhur me terrorizmin.

Ankaraja ka refuzuar që të ratifikojë aplikimin e Stokholmit në NATO, edhe për shkak të refuzimit të Suedisë që të ekstradojë dhjetëra të dyshuar, që Turqia pretendon se janë të lidhur me luftëtarët kurdë dhe me puçin e dështuar të vitit 2016.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika