Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka reaguar në rrjetin e tij social Facebook, pas arrestimeve në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për dyshimet me keqpërdorime të rezerva shtetërore.

“Fort po u hatrojshin VV-ja me bo me i zanë tuj vjedhë!”, ka shkruar Berisha.

Ndërsa, një ndër të arrestuar është Ridvan Muharremi, i dyshuar për keqpërdorime të rezervave shtetërore të Kosovës, i cili sipas opozitës është i afërt me kryeministrin Albin Kurti.

Pas arrestimit të Muharremit është larguar edhe Policia, të cilët ishin duke qëndruar te banesa e tij për bastisje.

Ndryshe, pak orë më parë, Mahmut Halimi, avokati i tij, ka thënë se ai është i pafajshëm.

Muharremit i është bastisur banesa dhe një pronë tjetër e tij, për më shumë se dy orë nga Policia e Kosovës.

Po ashtu, pak më parë janë arrestuar edhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), nën dyshimet e njëjta për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica dëgjohen në disa audio-incizime të siguruara nga mediumi “Nacionale” duke thënë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë, edhe pse për atë sasi shteti kishte paguar.