Fundi i një pushteti propagande dhe frike

Largimi nga pushteti i Viktor Orbanit nuk do të ishte thjesht humbja e zgjedhjeve pas 16 vjetësh qeverisje apo ndryshimi i politikës në Hungari, por tregues se propaganda dhe frika kanë fund. Tash sa kohë sondazhet i japin përparësi në zgjedhjet e 12 prillit opozitarit Peter Magyar dhe kjo nuk është një befasi: pas një serie skandalesh, qytetarët hungarezë duket se po kërkojnë ndryshim më shumë se kurrë.

 

Imer Mushkolaj

 

Fundin e një autokrati brenda Bashkimit Europian mund ta përjetojmë të dielën e 12 prillit. Gjasat janë të mëdha që Viktor Orban, i cili qeveris Hungarinë tash 16 vjet pandërprerë, t’i takojë historisë.

Fushata parazgjedhore në këtë vend po zhvillohet e ashpër. Orban ka zbatuar të njëjtin model për vite të tëra: disa muaj para zgjedhjeve ai deklaron zëshëm se mbijetesa e kombit hungarez është në rrezik, andaj qytetarët duhet ta votojnë atë. Ai e shfaq veten si i vetmi që mund ta shpëtojë Hungarinë dhe popullin e saj nga e keqja dhe kërcënimet e armiqve.

Qeveria e Orbanit dhe partia e tij Fidesz nuk e kanë problem që t’i shfrytëzojnë paratë e taksapaguesve për të “mbushur” vendin me mijëra posterë anti-Ukrainë, për të organizuar një “peticion kombëtar” kundër BE’së dhe Ukrainës, si dhe për t’i “përmbytur” rrjetet sociale me video të rreme – të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale – kundër opozitës. Orban dhe ekipi i tij shkojnë aq larg në propagandë, sa që pretendojnë se nëse ai humb zgjedhjet, atëherë vendi do të goditet nga lufta.

Së fundi, ministri i Jashtëm, Peter Szijjarto, e ka pranuar se kontakton rregullisht homologun rus, Sergei Lavrov, gjatë takimeve private të BE’së për çështjet e jashtme. Kështu, përtej rregullave të BE’së, pushteti hungarez nuk kursen t’i shërbejë edhe Rusisë së Vladimir Putinit.

Megjithatë, për herë të parë që nga viti 2010, ekziston mundësia reale që Orban ta humb pushtetin. Media perëndimore kanë raportuar se hungarezët janë të lodhur nga një sistem i korruptuar, arrogant dhe autokratik. Tash sa muaj opozitari Peter Magyar dhe partia e tij Tisa dalin të parët në sondazhe, ndërkohë që Orban përballet me pasojat e disa skandaleve publike.

Hungarezët janë shokuar nga raportimet për dhunën dhe abuzimin seksual të të miturve në një institucion korrektues në Budapest. Videot e publikuara shfaqin dhunë tronditëse nga stafi kundër të miturve. Autoritetet kanë qenë në dijeni, por nuk kanë reaguar. Ndërkohë, “mbrojtja e fëmijëve” dhe familjes, si dhe retorika e theksuar homofobike, janë ndër temat kryesore të Orbanit.

Për rastin e tmerrshëm dhe skandaloz, Orban dhe disa anëtarë të qeverisë dhe partisë së tij fajësuan viktimat, duke thënë se ishin pjesërisht përgjegjës për atë që kishte ndodhur – sepse ata ishin kriminelë. Kjo shkaktoi irritim të madh te një pjesë e madhe e shoqërisë.

Ndërkohë, Hungaria u trondit edhe nga një tjetër skandal. Mediat raportuan se punëtorët e fabrikës së baterive në qytetin God ishin të ekspozuar për vite me radhë ndaj grimcave toksike të metaleve të rënda, në vlera deri 500 herë më të larta se sa lejoheshin. Qeveria ishte në dijeni të kësaj situate, por nuk kishte reaguar. Raportohet se ministri i Punëve të Jashtme, Pter Szijjarto, kishte penguar mbylljen e fabrikës. Madje, qeveria kishte kërkuar mënyra se si t’i heshtte mediat për skandalin. Vetë Orban e kishte inkurajuar fuqishëm prodhimin e baterive, duke e konsideruar si shtyllë të politikës ekonomike dhe teknologjike të vendit.

 

* * *

 

Ironia e situatës aktuale në Hungari, në prag të zgjedhjeve të prillit, është e hidhur: për vite me radhë Orban ka mësuar se propaganda e frikës dhe retorika për “mbrojtjen e kombit” janë të mjaftueshme. Por tash, mekanizmat që ai përdori për të kontrolluar perceptimin publik, po kthehen kundër tij. Skandalet nuk janë më lajme të vogla, por goditje të drejtpërdrejta në imazhin e tij dhe legjitimitetin e qeverisë.

Orban mund të përpiqet të shpëtojë fytyrën me video të tjera, me fushata kundër Brukselit, me retorikë anti-Ukrainë, apo duke akuzuar opozitën për çdo gjë. Por fundi nuk vjen nga jashtë. Ai ka predikuar moralin dhe drejtësinë, ndërkohë që vetë i ka lënë pas dore fëmijët, punëtorët dhe qytetarët e zakonshëm. Ai ka ndërtuar një perandori frike dhe manipulimi, e cila po rrëzohet ngadalë.

Fundi i Orbanit nuk do të jetë thjesht humbja e zgjedhjeve apo ndryshimi i politikës në Hungari, por tregues se propaganda dhe frika kanë fund, se kundërthëniet nuk mund të mbahen të fshehura pafundësisht dhe se skandalet, kur grumbullohen, bëhen armë më e fuqishme se çdo fushatë politike.

Fundi i Orbanit do të jetë njëkohësisht fundi i një sistemi të ndërtuar mbi gënjeshtra. Epoka e tij në pushtet mund të duket e gjatë në histori, por si çdo regjim i bazuar mbi frikë dhe manipulim, nuk mund të zgjasë pafundësisht. Duket se Hungaria po përgatitet për të parë fundin e një epoke – epokës së Viktor Orbanit.

Të fundit nga rubrika