G7 rrit sanksionet ndaj Rusisë, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës

Udhëheqësit e G7-ës tashmë kanë marrë vendim për sanksione të reja kundër Rusisë dhe të shtojnë bashkëpunimin për kundërvënie ndaj Kinës

Liderët e vendeve të G7-s në Hiroshimë, Japoni më 19 maj 2023.

Udhëheqësit e demokracive më të pasura në botë ranë dakord të premten e 19 majit, që t’i forcojnë sanksionet kundër Rusisë dhe premtuan mbështetje financiare për Ukrainën, ndërsa presidenti i saj, Volodymyr Zelenskiy, përgatitej t’u bashkohej atyre në qytetin japonez të Hiroshimës.

Udhëheqësit e Grupit të Shtatë pritet gjithashtu të trajtojnë tensionin në rritje midis ekonomive të tyre dhe Kinës gjatë samitit të tyre që do të zgjasë deri të dielën. Zyrtarët thanë se Zelenskiy do të merrte pjesë personalisht gjatë fundjavës.

Udhëheqësit thanë në një deklaratë të përbashkët se masat ekzistuese kundër Rusisë do të zgjerohen dhe çdo eksport që mund ta ndihmojë atë në luftën e saj 15-mujore kundër Ukrainës, do të kufizohet në të gjithë vendet e G7.

“Kjo përfshin eksportet e makinerive industriale, veglave dhe teknologjive të tjera që Rusia përdor për të rindërtuar makinën e saj të luftës,” thanë ata në një deklaratë të përbashkët, duke shtuar se përpjekjet do të vazhdojnë t’i kufizojnë të ardhurat ruse nga tregtia e saj me metale dhe diamante.

Mes provave se sanksionet ekzistuese po dobësoheshin nga anashkalimi, ata thanë se grupi po “angazhohej” me vendet, përmes të cilave, çdo mall, shërbim ose teknologji e kufizuar e G7 mund të kalonte tranzit drejt Rusisë.

“Ne vërejmë dhe inkurajojmë angazhimet e marra nga këto vende për të siguruar që masat tona të mos anashkalohen dhe të kenë efektin e synuar,” thanë ata, pa përmendur asnjë territor, raporton Reuters.

Zbërthimet e të dhënave tregtare gjermane tregojnë se eksportet e saj në vendet në kufi me Rusinë janë rritur ndjeshëm, duke nxitur shqetësimet për rieksportin e mallrave nga ato shtete fqinje.

Grupi i demokracive të pasura ripohoi dënimin e tyre për atë që ata e quajtën agresionin e Rusisë dhe premtoi mbështetje të mëtejshme për Ukrainën, në drejtim të ndihmës ushtarake dhe ndihmës financiare për ekonominë e saj të shkatërruar nga lufta këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Anëtarët e G7 – Shtetet e Bashkuara, Japonia, Gjermania, Britania, Franca, Kanadaja dhe Italia – pritet gjithashtu të debatojnë strategjinë për konfliktin në Ukrainë që nuk tregon asnjë shenjë lehtësimi.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, i cili përfaqëson Hiroshimën në dhomën e ulët të parlamentit të Japonisë, tha se ai zgjodhi qytetin për samitin për të përqendruar vëmendjen në kontrollin e armëve.

Hiroshima dhe një qytet tjetër japonez, Nagasaki, u shkatërruan nga sulmet bërthamore të SHBA-së 78 vjet më parë që i dhanë fund Luftës së Dytë Botërore.

Zelenskiy do të marrë pjesë të dielën e 21 majit, thanë dy zyrtarë të përfshirë në samitin e G7, duke refuzuar të identifikohen për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika