Gazetarët investigativë: Regjimi i Vuçiqit ndërtoi partneritet me botën e krimit – provat, Sky ECC dhe dëshmitë zbulojnë lidhjet
Lidhjet e pretenduara mes regjimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe krimit të organizuar po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u mohuar, pasi ato mbështeten në procedura gjyqësore, dëshmi të dëshmitarëve, komunikime të deshifruara nga aplikacioni Sky ECC dhe vite të tëra hetimesh të gazetarëve investigativë në Serbi. Në një analizë për Deutsche […]
Lidhjet e pretenduara mes regjimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe krimit të organizuar po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u mohuar, pasi ato mbështeten në procedura gjyqësore, dëshmi të dëshmitarëve, komunikime të deshifruara nga aplikacioni Sky ECC dhe vite të tëra hetimesh të gazetarëve investigativë në Serbi.
Në një analizë për Deutsche Welle, kryeredaktori i portalit investigativ KRIK, Stevan Dojçinoviq, pohon se bashkëpunimi ndërmjet strukturave shtetërore dhe grupeve kriminale nuk është një fenomen i rastësishëm, por pjesë e mënyrës së funksionimit të pushtetit në Serbi raporton Vreme përcjell Dukagjini.
“Fakti që kemi një shef policie të lidhur me krimin dhe që merr pjesë në veprime kriminale është diçka që tashmë është vërtetuar disa herë”, deklaron Dojçinoviq.
Sipas tij, Partia Përparimtare Serbe (SNS), e udhëhequr nga Vuçiq, ka ndërtuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me grupe kriminale, duke ndryshuar aleatët sipas interesave politike.
“Shteti nuk ka një partner të përhershëm. Ai bashkëpunon me atë grup kriminal që i shërben më shumë në një moment të caktuar. Deri në vitin 2021 bashkëpunonte me klanin Kavac, më pas ndryshoi aleancat dhe kaloi te grupi rival”, shpjegon ai.
Gazetari investigativ Branko Çeçen vlerëson se kjo simbiozë mes pushtetit dhe botës së krimit daton që nga ardhja e Vuçiqit në pushtet.
“E shohim këtë në faktin se persona si Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiq, të njohur nga mjedisi kriminal, papritur filluan të merrnin punë dhe mbështetje nga shteti”, thotë ai.
Një nga rastet më të përfolura mbetet ai i grupit të Veljko Belivukut. Sipas raportimeve të KRIK, Belivuk u deklaroi prokurorëve se ishte i gatshëm të fliste për marrëdhëniet e grupit të tij me presidentin Vuçiq, ish-ministrin Aleksandër Vulin, vëllain e presidentit dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, të cilët, sipas tij, më parë kishin kërkuar shërbime nga grupi kriminal.
Dojçinoviq përmend edhe komunikimet e gjetura në telefonin e Belivukut, të cilat, sipas tij, tregojnë zinxhirin e koordinimit mes strukturave të sigurisë dhe grupit kriminal.
Një tjetër provë, sipas tij, është audio-incizimi i publikuar nga KRIK në vitin 2023, ku ish-anëtari i Xhandarmërisë Nenad Vuçkoviq dëgjohet duke drejtuar një takim të një grupi kriminal dhe duke u mburrur se rrjeti i tij “e mban të gjithë policinë në duart e veta”.
Sipas gazetarëve investigativë, marrëdhënia mes pushtetit dhe botës së krimit nuk kufizohet vetëm në korrupsion.
“Ky është një partneritet nga i cili përfitojnë të dyja palët. Shteti ofron mbrojtje, ndërsa grupet kriminale kryejnë punët që i nevojiten pushtetit”, shpjegon Dojçinoviq.
Ai pohon se anëtarë të grupeve kriminale janë identifikuar edhe gjatë protestave në Serbi, ku, sipas gazetarëve investigativë, ata janë përdorur për të frikësuar dhe sulmuar protestuesit, ndërsa për vite me radhë kanë ushtruar kontroll edhe mbi grupet e tifozëve në stadiume.
“Shteti nuk mbron kartelët e drogës vetëm që të ketë disa dhjetëra njerëz për të sulmuar protestuesit. Arsyeja kryesore janë paratë. Ata që drejtojnë shtetin marrin pjesë në fitimet e këtyre grupeve, ndërsa kur u duhen njerëz për rrugë ose stadiume, thërrasin kriminelët”, deklaron ai.
Si ilustrim të kësaj lidhjeje, Dojçinoviq përmend rastin Jovanjica, plantacionin gjigant të kanabisit pranë Beogradit, ku pronari Predrag Koluvija kishte lidhje të afërta me zyrtarë të policisë, BIA-s dhe strukturave të tjera shtetërore.
“Nuk flasim më për korrupsion klasik. Po flasim për shtetin që hyn në biznes të përbashkët me krimin”, thekson ai.
Pavarësisht provave të grumbulluara ndër vite, procedurave gjyqësore dhe komunikimeve të deshifruara nga Sky ECC, asnjë nga rastet më të mëdha nuk ka sjellë përgjegjësi politike për nivelet më të larta të pushtetit.
Sipas Dojçinoviqit, prokuroria përdor materialet e Sky ECC për të ndjekur penalisht anëtarët e grupeve kriminale, por shmang hetimet që çojnë drejt figurave politike.
Ndërkohë, Branko Çeçen vlerëson se bashkëpunimi i pretenduar me botën e krimit po fillon t’i kushtojë politikisht Vuçiqit, pasi, sipas tij, edhe një pjesë e mbështetësve tradicionalë të presidentit serb kanë humbur besimin te aftësia e shtetit për t’i mbrojtur qytetarët nga strukturat kriminale.
Sipas tij, pikërisht për këtë arsye Vuçiq po kalkulon me kujdes momentin e shpalljes së zgjedhjeve, duke hyrë vetëm në procese zgjedhore për të cilat është i bindur se mund t’i fitojë.















