Gërvalla: Asociacioni është propozim i vdekur

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe është “propozim i vdekur”

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, është “propozim i vdekur”.

Kjo për shkak se, sipas saj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se 23 nenet e kësaj marrëveshjeje nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kështu është shprehur ministrja e këtij dikasteri në një intervistë për mediumin estonez, ERR.

“Beogradi vërtet flet për këtë shoqatë, por ky propozim ka vdekur dhe nuk mund të ringjallet. Gjykata Kushtetuese vendosi që kjo të mos ndodhte. Duke folur me partnerët dhe aleatët tanë, dëgjojmë se ky duhet të jetë një formacion që i jep të drejta komunitetit serb, por nuk shoh ndonjë të drejtë që kushtetuta nuk i garanton”, është shprehur ajo.

Teksa ka diskutuar për kërkesën e Serbisë për një Asociacion i cili ka kompetenca ekzekutive, kryediplomatja kosovare ka dhënë si shembull Bosnje e Hercegovinën.

“Nëse flasim për pushtetin ekzekutiv, shembulli më i mirë është Bosnja dhe Hercegovina, ku ata ngritën një mekanizëm, duke i dhënë një kombi një pushtet të tillë ekzekutiv që shteti të mos funksionojë më. Nuk do të bëjmë diçka të tillë në Kosovë. Të drejtat e pakicave janë të rëndësishme, por dhënia e të drejtave të tilla që e paralizojnë vendin tonë dhe e bëjnë atë jofunksional, nuk do të ndodhë. Prandaj themi se po flasim për gjithçka, jo vetëm për asociacionin, që më në fund të arrijmë në njohje reciproke dhe të zbatohen të njëjtat parime për të dyja palët”, shtoi ajo.

Kosova është nën presion që të nisë punën për themelimin e Asociacionit, që sipas SHBA-së dhe BE-së, është obligim i Prishtinës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik. Kurti ka argumentuar se institucionet monoetnike bien ndesh me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Ndërsa, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të premten pas takimeve në Prishtinë dhe në Beograd, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare kërkon që Kosova të përmbushë detyrimin ligjor për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se kjo çështje dhe propozimi franko-gjerman “nuk janë plotësisht të lidhura” me njëra-tjetrën.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se në takimin me “pesëshen” ndërkombëtare të premten, i është thënë se duhet ta pranojë Serbia propozimin e tyre, sepse në të kundërtën do të ndërpritet procesi i integrimeve evropiane.

Ai shtoi se i është thënë se Serbia do të përballet me ndalimin dhe tërheqjen e investimeve, do të jetë nën një ndërprerje të integrimeve evropiane dhe se masa e tretë do të jetë e përgjithshme ekonomike që do të ketë pasoja për Serbinë.

“Ka ardhur “Pesëshja perëndimore”, në fjalinë e dytë që më është komunikuar thuhej – duhet ta pranoni këtë plan (francezo-gjerman) dhe nëse nuk e pranoni, do të përballeni me pasojat”, ka thënë Vuçiq në një konferencë drejtuar popullit serb.

Vuçiq bëri të ditur se dënimet që do t’i marrë Serbia, nëse nuk e pranon këtë plan, i janë përsëritur disa herë gjatë takimit.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika