Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, në një konferencë për media të mbajtur para pak ditësh bashkë me homologun e saj nga Luksemburgu, Xavier Bettel, e pyetur se kush po i paguan organizimin e takimeve me mërgatën dhe nëse të njëjtat janë fushatë, kishte thënë se organizimet në fjalë s’janë fushatë, meqë ende s’ka filluar fushata. Gërvalla në atë konferencë kishte shtuar se në momentin që do të fillojë fushata, do të ndryshojë edhe gjuha dhe përmbajtja e takimeve.

Megjithatë, pa kaluar as edhe një javë Gërvalla gjatë një takimi me mërgatën në Gjermani e ka shfrytëzuar për të sulmuar opozitën.

Ajo ka thënë se ish-qeveritë s’po i pengon përmbajtja e takimeve të kryeministrit, por entuziazmi dhe ngrohtësia me të cilën po pritet Albin Kurti dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Tutje ajo ka thënë se ish-qeveritë jo vetëm që kishin degraduar diplomacinë, por edhe kishin përçarë, përbuzur e përçmuar mërgatën ngado që kishin shkuar.

“Por, nuk është përmbajtja e takimeve të Kryeministrit ajo që i shqetëson ata që për vite të tëra degraduan jo vetëm diplomacinë e Kosovës, por edhe përçanë, përbuzën dhe përçmuan mërgatën kudo që shkelën. Është entuziazmi dhe ngrohtësia me të cilën pritet Kryeministri dhe përfaqësuesit e institucioneve të Republikës nga qytetarët e Kosovës në të gjithë botën, ajo që po iu pengon”, ka shkruar Gërvalla në ” title=””>Facebook.

Gjithashtu ajo ka thënë se “Për kaq shumë vite me radhë, mërgatën dhe diasporën e trajtuan me përbuzje, përçmim dhe mungesë të skajshme të respektit. Kur ishin ambasadorë, ministra apo kryeministra, mërgatën më meritore e përjashtonin nga aktivitetet e organizuara me paratë e tatimpaguesve, duke i tkurrur listat në vetëm anëtarë të rrethit familjar të tyre, të miqve personal dhe në partnerë biznesi. Kur vinin për vizita përfaqësues të institucioneve, i dërgonin nëpër restorante dhe ndeja me pikërisht këta. Përveç shopingut, natyrisht”.

Reagimi i ministres Gërvalla vije pas konferencës së Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) ku kanë akuzuar qeverinë se po abuzon me pushtetin duke i përdorur ambasadat për fushatë elektorale.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla se po kamuflon agjendën partiake si punë zyrtare dhe qeveritare.

“Ditëve të fundit, Kryeministri i Kosovës dhe Ministrja e Punëve të Jashtme po e keqpërdorin hapur pushtetin e tyre politik, paratë e taksapaguesve dhe institucionet tona për të kryer një fushatë partiake në diasporë. Kjo qeveri—e zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve, tani po e kthen shtetin dhe burimet e tij në mjete për përfitime partiake”, ka thënë Çitaku.