Hajnia që poshtëroi votën

Përgjegjësia për vjedhje votash nuk është vetëm e komisionerëve, por edhe e kandidatëve për deputetë që përfituan nga kjo hajni. Ata që e dinin - ose duhej ta dinin - se votat e tyre nuk janë të pastra. Ata që heshtën, u gëzuan, pranuan mandatin e fituar me mashtrim. Një deputet që hyn në Kuvend me vota të vjedhura nuk është përfaqësues i popullit - është përfaqësues i krimit zgjedhor.

Në çdo palë zgjedhje përsëritet e njëjta fjali: vota është e shenjtë. E thonë me zë solemn, e shkruajnë në programe, e “recitojnë” në debate televizive. Por, pastaj vijnë ditët e numërimit dhe e zhvesh këtë fjali nga çdo kuptim. Ajo që ndodhi me vjedhjen e votave nga komisionerët, veçmas në Prizren, nuk është thjesht një shkelje procedurale. Është një krim ndaj qytetarëve dhe një grusht i drejtpërdrejtë ndaj vetë demokracisë.

Këtu nuk bëhet fjalë për gabime teknike, por për hajni të qëllimshme. Për zhvendosje votash nga një kandidat te tjetri. Për ndërhyrje të vetëdijshme që ndryshojnë rezultatin. Dhe, kur komisioneri, ai që është betuar se do ta mbrojë votën, vendos të bëhet hajdut, procesi zgjedhor shndërrohet në farsë. Kur komisionerët vendosin se kush bëhet deputet, zgjedhjet pushojnë së qeni zgjedhje. Bëhen pazare. Bëhen shitblerje. Bëhen skemë kriminale.

Prizreni u bë simboli më i keq i këtij turpi. Jo sepse aty ndodhi diçka e paprecedentë, por sepse aty u pa qartë se si disa njerëz të ulur pas tavolinës vendosën se kush bëhet deputet. Jo qytetarët. Jo votuesit. Por disa komisionerë që u ndjenë më të fuqishëm se vota. Më të fuqishëm se ligji.

Kjo është pika ku demokracia ndalet dhe fillon pazari. Kur votat numërohen sipas preferencës personale apo sipas urdhrit partiak, mandati nuk është më përfaqësim. Është produkt i vjedhjes. Dhe çdo deputet që hyn në Kuvend mbi këtë bazë, hyn me një njollë që nuk e lanë as betimi, as fjalimet patriotike, as postimet patetike në rrjete sociale.

Është e lehtë të gjesh fajin vetëm te komisionerët. Po, ata duhet të dënohen pa asnjë mëdyshje. Me emër e mbiemër. Me procedura penale. Me ndëshkime reale, jo simbolike. Sepse kush vjedh votën, vjedh sovranitetin e qytetarëve. Dhe për një krim të tillë nuk mjafton një qortim apo një shkarkim i heshtur. Por, përgjegjësia nuk mbaron këtu.

Ka edhe një kategori tjetër që po përpiqet të fshihet pas heshtjes: kandidatët dhe deputetët, të cilëve iu shtuan votat. Nuk ka pafajësi nëse përfiton nga vjedhja. Edhe nëse nuk e ke futur dorën vetë në kuti, por e pranon mandatin që erdhi nga manipulimi, je bashkëfajtor. Heshtja në këtë rast, ose reagimi “sa për sy e faqe”, nuk është neutralitet. Është pranim.

Nëse një kandidat e di se votat e tij janë fryrë artificialisht dhe prapë zgjedh të ulet në ulësen e Kuvendit, ai po i thotë qytetarit se mashtrimi ia vlen. Se hajnia shpërblehet. Se morali është i negociueshëm. Dhe ky është mesazhi më i rrezikshëm që mund t’i dërgohet një shoqërie tashmë të lodhur nga padrejtësia.

 

*  *  *

 

Në këtë rast nuk është e mjaftueshme retorika e zakonshme për “dëmtim të imazhit të procesit zgjedhor”. Procesi nuk u dëmtua. U njollos. U komprometua. Dhe kjo njollë nuk hiqet duke bërë sikur asgjë nuk ka ndodhur. Hiqet vetëm me ndëshkim të qartë dhe me refuzim publik të mandateve të fituara me hile.

Përndryshe, zgjedhjet e ardhshme do të jenë vetëm një ritual kot. Qytetarët do të votojnë, komisionerët do të vendosin, deputetët do të përfitojnë. Kurse demokracia do të mbetet një fjalë e madhe për t’u përdorur në fushatë, por e vogël, shumë e vogël, për t’u respektuar në praktikë.

Në fund, pyetja është e thjeshtë: a duam zgjedhje ku vota vendos, apo numërime ku hajnia sundon? Nëse nuk dënojmë sot vjedhjen e votës, nesër nuk do të kemi as të drejtë morale të ankohemi. Sepse do ta kemi pranuar që dikush tjetër të vendosë në vendin tonë.

Pasoja e kësaj hajnie nuk është vetëm morale, por është politike, institucionale, shoqërore.

Kur qytetari sheh që vota e tij nuk vlen, kur sheh që disa komisionerë me stilolaps vendosin më shumë se mijëra votues, atëherë ai qytetar largohet nga procesi demokratik. Apatia rritet. Demokracia shndërrohet në shaka të keqe. Në këtë pikë, shteti fillon të kalbet nga brenda.

Prizreni u bë simbol, por problemi nuk është vetëm Prizreni. Prizreni është simptoma. Sëmundja është sistemi i kalbur partiak që e trajton komisionerin si ushtar partie, jo si garantues të ligjit. Që e trajton kutinë e votimit si pronë private. Që e trajton procesin zgjedhor si fushëbetejë ku çdo mjet është i lejuar, përfshirë vjedhjen.

Demokracia nuk vdes vetëm me tankse. Vdes me komisionerë. Me formularë. Me stilolapsa. Me kuti votimi. Me “gabime teknike”. Me “keqkuptime procedurale”. Me justifikime qesharake. Me institucione frikacake. Me prokurori të kapura. Me parti që mbrojnë hajdutët e vet. Nëse sot nuk reagojmë ashpër, nesër nuk do të kemi më as të drejtë morale të ankohemi. Sepse do të jemi bashkëpunëtorë me heshtje. Një shoqëri që hesht përballë vjedhjes së votës, e meriton që t’i vidhet edhe e ardhmja.

Të fundit nga rubrika