Halimi për vrasjen e 35-vjeçares: Gruaja u vra në duart e shtetit
Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi pas vrasjes së gruas shtatzënë nga bashkëshorti i saj në mbrëmjen e së mërkurës në oborrin e QKUK-së ka thënë se “gruaja u vra në duart e shtetit”. “Në shoqërinë tonë, grave dhe vajzave iu merret jeta lehtësisht, sepse ato çdo ditë vriten nga gjuha e […]





Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi pas vrasjes së gruas shtatzënë nga bashkëshorti i saj në mbrëmjen e së mërkurës në oborrin e QKUK-së ka thënë se “gruaja u vra në duart e shtetit”.
“Në shoqërinë tonë, grave dhe vajzave iu merret jeta lehtësisht, sepse ato çdo ditë vriten nga gjuha e mendësia patriarkale. Në rritën e tyre, detyrohen të jenë të buta e të qeta, të pranojnë çdo lloj nënshtrimi, në shkollë të mësojnë nga tekstet e stërmbushura me stereotipe, ku ato prezantohen si qytetare të dorës së dytë ku nxënësve u mësohet që gratë dhe vajzat nuk vlejnë më shumë se sa të rrinë në shtëpitë e tyre. Kur të rriten, të papuna, të varura tërësisht nga mëshira e burrave të tyre”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sipas saj, kur shtetit i kërkohet ndihmë, aty të ulur janë po të njëjtit që i duan gratë e vajzat e nënshtruara, shprehin me lehtësi besimin e tyre personal se si tek ato fillon problemi, sepse “gratë dhe vajzat kanë dalë jashtë kontrollit”.
“E kur vrasja ndodh, në njërën anë një britmë kolektive, e anën tjetër shumë arsyetime për vrasësin që njerëzit me emër e mbiemër shprehen poashtu lehtësisht në rrjete sociale”.
Ndryshe, të mërkurën, Policia e Kosovës ka konfirmuar vrasjen e 35-vjeçares brenda oborrit të QKUK-së në Prishtinë.
“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka deklaruar Ahmeti.
Vrasja në QKUK: Gruaja e vrarë ishte shtatzënë, u qëllua me armë zjarri




















