Haxhiu për ekstradimin e gjilanasit në SHBA: Dëshmi konkrete për sundim të ligjit
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur hap të madh në ndërtimin e besimit në drejtësi ekstradimit e gjilanasit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që dyshohet për krime kibernetike. Haxhiu përmes një postimi në “Facebook” ka deklaruar të mërkurën se ekstradimi i tij “është dëshmi konkrete e zotimit të palëkundur […]
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur hap të madh në ndërtimin e besimit në drejtësi ekstradimit e gjilanasit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që dyshohet për krime kibernetike.
Haxhiu përmes një postimi në “Facebook” ka deklaruar të mërkurën se ekstradimi i tij “është dëshmi konkrete e zotimit të palëkundur për sundimin e ligjit pa përjashtim dhe pa kompromis”. Sipas Haxhiut, ky rast dëshmon që Kosova është vend ku krimi nuk gjen strehim.
“Ekstradimi i një personi të shumëkërkuar për krime kibernetike, është dëshmi konkrete e zotimit të palëkundur për sundimin e ligjit pa përjashtim dhe pa kompromis. Ky veprim është një hap i madh përpara në ndërtimin e besimit në drejtësi dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është vetëm një rezultat nga hapat që po ndërmarrim për të dëshmuar se Kosova është një vend ku krimi nuk gjenë strehim”, ka thënë Haxhiu në Facebook.
Autoritetet amerikane kanë njoftuar të martën për ekstradimin e Liridon Masuricës, i njohur si “blackdb”, pasi 33-vjeçari akuzohet se ka mashtruar dhe vjedhur identitete të qytetarëve në internet, me qëllim të përfitimit personal.
Zyra e Prokurorit të SHBA-së në Distriktin e Mesëm të Floridës ka njoftuar se nëse faktohen akuzat ndaj Masuricës, i pandehuri mund të dënohet me burgim maksimal deri në 55 vjet burgim.
Ai e ka bërë paraqitjen e parë para autoriteteve amerikane. Iu është shqiptuat masa e ndalimit dhe gjyqin do ta presë në burg.
Ndryshe, Liridon Masurica (33-vjeçar) nga Gjilani i njohur si “@blackdb” më 9 maj është ekstraduar nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) si administrator kryesor i “BlackDB.cc” – tregu kriminal online. Ndaj tij rëndojnë akuzat për mashtrim dhe vjedhje të identitetit të qytetarëve. Ai doli para gjyqit për herë të parë më 12 maj (dje).
Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Gregory W. Kehoe, njofton se Masurica akuzohet për një akuzë të komplotit për të kryer mashtrime me pajisje të qasjes dhe pesë akuza për përdorim mashtrues të 15 ose më shumë pajisjeve të qasjes të paautorizuara, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Shteteve të Bashkuara në Distriktin e Mesëm të Floridës, nëse dënohet për të gjitha akuzat, Masurica mund të përballet me dënim maksimal prej 55 vjetësh burgim.
“Masurica, shtetas dhe banues i Kosovës, është dërguar në paraburgim nga autoritetet në Kosovë më 12 dhjetor 2024 dhe është ekstraduar më 9 maj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bazë të marrëveshjes së ekstradimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në paraqitjen e parë para gjyqit gjatë ditës së djeshme, Masuricës iu shqiptua masa e ndalimit dhe gjyqin do ta presë në burg.















