EUobserver: Politika e BE-së ndaj Vuçiqit është tradhti ndaj vlerave të saj

Gjatë muajve të protestave popullore kundër regjimit në Serbi, Bashkimi Evropian ka qëndruar kokëfortësisht në legalitetin e presidentit Aleksandar Vuçiq. Por tani, shtypja gjithnjë e më brutale e protestave paqësore nga Vuçiq po e detyron BE-në të ripërfytyrojë politikën e saj: të vazhdojë të tolerojë këtë qasje transaksioniste, ose të përballet me pasigurinë – por që vjen me mundësi reale për përparim. 

Nga heshtja e Parisit, Berlinit dhe Komisionit Evropian, duket se BE-ja do të mundohet të qëndrojë “në gardh” sa më gjatë që të mundet. Por ngjarjet që zhvillohen të shpejta mund ta detyrojnë shpejt të marrë një pozicion.

Më 28 qershor, në përfundim të një proteste të madhe në Beograd me mbi 100 000 pjesëmarrës, folësit deklaruan se lëvizja studentore ishte shndërruar tashmë në një lëvizje qytetare më të gjerë dhe apeluan për mosbindje civile. Protestës i pasoi dhuna dhe shtypja me forca policore, dhe më pas bllokime trafiku në të gjithë Serbinë.

Gjatë javës që pasoi, policia – bashkë me individë të maskuar në uniforma, përfshirë edhe nga Republika Srpska – përdori dhunë brutale ndaj protestuesve, duke shkaktuar revoltë popullore. Vuçiq, i kënaqur me veprimin e forcave, e quajti këtë një sukses. Përkundër dhunës shtetërore, protestat dhe bllokimet vazhduan pa pushim. 

Çfarë nisi si protestë studentore kundër korrupsionit – e nxitur nga shembja e çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad që vrau 16 persona – është shndërruar në një lëvizje masive rrënjësore. Delegacionet studentesh shtynë biçikleta drejt Strasburgut dhe organizuan ultramaratonë drejt Brukselit në prill dhe maj për të kërkuar nga BE një rishikim të politikës së saj ndaj Serbisë. Zyrtarët e BE shmangën takimin me ata që udhëtonin, ndërsa komisioneret për zgjerim, Marta Kos, dhe për të rinjtë e kulturën, Glen Micallef, takuan vrapuesit vetëm në maj raporton EUobserver.

Vetëm një ndryshim retorik

Marta Kos bëri një ndryshim retorik, duke njohur qëllimet dhe vlerat e lëvizjes studentore si të përputhshme me vlerat e BE-së dhe kriteret e acquis. Por kjo u konsiderua si një zë i dobët pa zotime konkrete – politika e BE-së mbeti e pandryshuar. 

Vuçiq injoroi apelimet publike nga BE-ja që të mos merrte pjesë në Paraden e 9 majit në Moskë për Ditën e Fitores. Për këtë shkelje, u shpërblye vetëm pak ditë më vonë me vizitën e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Beograd, e më pas të kryediplomates Kaja Kallas. Edhe pse Kallas i kërkoi Serbisë të zgjedhë drejtimin strategjik, vizitat e pashoqëruara nga masa konkrete e pozicionuan BE-në si kërkuese – jo si partnere.

Koordinim midis Beogradit dhe Moskës?

Në fund të qershorit, pas kritikave të ashpra nga shërbimi rus i inteligjencës, SVR, për shitjen e armëve nga Serbia nëpërmjet palëve të treta për Ukrainën, Vuçiq njoftoi pezullimin e eksportit të armëve, duke përfshirë edhe dërgesat drejt Ukrainës. Në fillim të korrikut, Shtetet e Bashkuara ndaluan eksportin e raketave Patriot dhe predhave 155 mm të prodhuara në Serbi – duket si një veprim i koordinuar. 

Megjithatë, Komisioni ende nuk duket i gatshëm të “blejë populizmin transaksionist” të Vuçiqit – me ndihma financiare dhe shmangie të vlerave të vështira – duke supozuar se kjo mbështet interesat e BE-së në rajon. Por kjo qasje po kthen përmbys popullaritetin e BE-së mes qytetarëve serbë dhe po i lejon Vuçiqit të intensifikojë shtypjen, duke etiketuar studentët si “terroristë” të paguar nga armiku dhe të përgatitur për “revolucion ngjyrash”. 

Autorët argumentojnë se tani është momenti që BE-ja të veprojë mbi baza vlerash – ose të paktën, nëse shtjellon transaksionin strategjik, të lidhë rrugën e anëtarësimit të Serbisë me shpërblime të prekshme në fushën e sigurisë. Ata sugjerojnë që presidenca daneze mund të nisë një fushatë për ricklibrimin e politikës së BE-së ndaj Serbisë dhe Ballkanit, që të mos mbetet e vetme në këtë nismë. Kjo do të përfshinte kërkesën për pajtim të plotë me kriteret e Kopenhagës dhe vlerat demokratike, si dhe për të mbështetur ata që po rrezikojnë në interes të këtyre vlerave. 

Përfundimi i tyre është i qartë: në vend që të fitojë Serbinë, politika e BE-së e balancimit ndaj Vuçiqit mund të rezultojë në humbjen e saj për një tjetër gjeneratë – dhe se zgjedhja për “stabilitetin” në këtë moment është, në praktikë, miratim i shtypjes. BE-ja ka përsëri fushën – tani duhet të luajë. 

Të fundit nga rubrika