Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se sjellja, tashmë e përsëritur, e LVV-së, paraqet një fashizëm politik, fundi i të cilës dihet.

Pas videos së publikuar nga partia në pushtet, Hoti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nxit urrejtje politike, duke pamundësuar një koordinim në mes subjekteve politike në një kohë të rëndësishme për Kosovën.

“Sjellja e partisë në pushtet, me video montazhe plot shpifje, është fashizëm politik — urrejtje e tjetrit vetëm se i përket një grupi tjetër politik. Fundi i çdolloj fashizmi dihet. Në kohën kur duhet punuar në krijimin e unitetit politik për sfidat që na presin, këta duan t’i ikin përgjegjësisë. Në kohën kur delegacioni i lartë i partnerëve kryesorë të Kosovës zbarkon në Prishtinë, me të cilët, duhet të ulen e të dakordohen të gjitha partitë politike, këta të pabesë nxisin urrejtje politike dhe pamundësojnë koordinimin e nevojshëm politik”, ka deklaruar Hoti.

Ndërkaq, ai ka theksuar se LVV tashmë ka prekur fundin.

Jo më ndryshe reagoi edhe PDK.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se subjekti politik në  pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, duhet të jetë në gjendje të mjerueshme politike, ngase ajo po i publikon videot “sulmuese” të saj.

Lëvizja Vetëvendosje është rikthyer me një video, përmes së cilës, i tregon elementet që munguan në qeverisjen dyvjeçare të saj, e të cilat, sipas saj, ekzistonin në qeverisjet e mëhershme.

Si gjithherë, nga LVV u shfaqën pamje të opozitës dhe disa nga momentet politike të saj.

Rikthehen videot e LVV-së, tregon çka pati e çka s’pati në qeverisjen dyvjeçare të saj