Hoxhaj: Qeveria s’ka treguar prioritet për të siguruar njohje të reja, s’ka plan, s’ka strategji

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka kritikuar qeverinë për mungesën e njohjeve të reja, teksa shton se duhet të ketë një strategji për vendet që kanë qëndrim neutral dhe janë kundërshtare

Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës

Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, njëherësh deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, e ka kritikuar Qeverinë, e cila sipas tij, nuk ka treguar prioritet për të siguruar njohje të reja.

Ai ka theksuar se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti ka dështuar t’i ruajë edhe ato njohje që janë siguruara ndër vite.

“Qeveria Kurti ka treguar që nuk ka plan, nuk ka vullnet dhe ambicie për të bërë ndonjë punë në politikën e jashtme, dhe njohjet nuk kanë qenë prioritet. Jam i sigurt se vendi do të mund të merrte pesë deri në shtatë njohje çdo vit. Për të ndodhur një gjë e tillë, Ministria e Punëve të Jashtme duhet të hartojë një strategji sikurse e kam bërë unë në vitin 2011, e cila do të duhej të përfshijë vendet të cilat janë afër njohjes së Kosovës, vendet të cilat kanë qëndrim neutral në raport me Pavarësinë e Kosovës, dhe vendet të cilat janë kundërshtare dhe për secilin rast të bëhet një analizë e plot se çfarë qëndrime kanë ata në janar të këtij viti e çfarë kanë pasur në të kaluarën”, ka thënë Hoxhaj për EO.

Ai ka thënë se duhet hartuar një dokument, i cili siç thotë Hoxhaj, do të duhej t’i përfshijë veprimet që i ka marrë Serbia gjatë këtyre viteve të fundit.

“Cilat vende i kanë vizituar serbët, me cilët njerëz kanë biseduar, e kështu më radhë, dhe mandej të dilet me një analizë të plotë të të gjitha shteteve, të cilat e kanë njohur Kosovën, të shihet se cilat kanë qenë vizitat e fundit”, shtoi Hoxhaj, duke i kritikuar krerët e shtetit edhe për mungesë të vizitave të mirëfillta.

Ai rekomandon që të vizitohen vendet që rrezikojnë ta largojnë njohjen e Kosovës.

“Por këta rrinë në Prishtinë, Osmani, Kurti e Gërvalla rrinë në Prishtinë, shkojnë herë pas here në ndonjë konferencë ndërkombëtare, flasin më shumë gjeopolitikë evropiane dhe për atë se çfarë po ndodh në Ukrainë dhe agresionin rus, sesa të marrin veprime konkrete që ta mbrojnë interesin vital të Kosovës në raport me fushatën e egër, të cilën po e bën Serbia”, u shpreh Hoxhaj.

Sa i përket refuzimit të projektit të gazsjellësit amerikan, Hoxhaj thotë se Kosova humbi edhe disa përfitime të rëndësishme, të cilat do të forconin subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Sipas tij, ky është një gabim që Kosovës i kushtoi me humbjen e njohjes nga Greqia.

“E di edhe çfarë ka menduar Greqia, dhe sot kam komunikim me kryeministrin grek dhe me motrën e kryeministrit grek. Është mirë që Greqia i ka shpeshtuar vizitat në Kosovë, është mirë që bën përpjekje që t’i ndërlidh interesat e saj politik e ekonomik, por unë nuk mendoj Qeveria e Kosovës ka mundur të krijojë një momentum që vërtetë të merrej njohja greke, qoftë përmes gazsjellësit. A ka mundur projekti i gazsjellësit amerikan që ta rreshtojë Greqinë të jetë më e hapur ndaj njohjes së Kosovës, padyshim”, u shpreh Hoxhaj.

Shija e redaktorit

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Të fundit nga rubrika