Në vend të reflektimit, LDK’ja po zgjedh rrugën tjetër: arrogancën. Një arrogancë e çuditshme, sepse nuk buron nga fuqia, por nga pafuqia për të pranuar realitetin. Humbën, por flasin si fitues moralë. U ndëshkuan nga votuesit, por sillen sikur votuesit nuk e kuptuan madhështinë e tyre politike.
Imer Mushkolaj
LDK’ja humbi. Jo për herë të parë, por kësaj radhe humbja ishte më goditëse, sepse u shoqërua me diçka edhe më shqetësuese: mungesë pothuajse totale reflektimi. Humbja nuk u trajtua si alarm serioz, por si keqkuptim i elektoratit. Jo si pasojë e gabimeve të veta, por si padrejtësi që iu bë një partie që, sipas vetë saj, “kishte programin më të mirë”. Dhe pikërisht këtu nis tragjikomedia politike: edhe të humbur, edhe krenarë.
Në politikë, humbja është momenti më i ndershëm për t’u përballur me veten. Është çasti kur shifrat nuk gënjejnë dhe justifikimet bien. Por LDK-ja zgjodhi rrugën tjetër: arrogancën. Një arrogancë e çuditshme, sepse nuk buron nga fuqia, por nga pafuqia për të pranuar realitetin. Humbën, por flasin si fitues moralë. U ndëshkuan nga votuesit, por sillen sikur votuesit nuk e kuptuan madhështinë e tyre politike.
Refreni është i njëjtë: “Ne kishim programin më të mirë”. Mund të jetë e vërtetë. Por në demokraci, programi më i mirë është ai që bind, jo ai që shpallet fitues nga autorët e vet. Nëse programi yt është i shkëlqyer, por askush nuk ta beson, problemi nuk është te publiku, por te ti. Ose te mënyra si e ke komunikuar, ose te njerëzit që e kanë përfaqësuar.
LDK’ja nuk e kërkoi fajin brenda vetes. Nuk e gjeti te lidershipi, te mungesa e guximit politik, te kandidatët e konsumuar, te gjuha e ftohtë dhe burokratike që nuk ngjall emocione. Nuk e gjeti as te fakti se për vite është perceptuar si parti e rehatisë, jo e ndryshimit. Fajin e gjeti diku tjetër: te populli që “nuk e kuptoi”, te rrethanat, te kundërshtarët, te mediat.
Kjo sjellje nuk është vetëm arrogante, por edhe e rrezikshme për vetë partinë. Sepse pa reflektim nuk ka reformë dhe pa reformë nuk ka rikthim. LDK-ja sillet sikur humbja është episod i përkohshëm, jo simptomë e një sëmundjeje të thellë politike. Sikur mjafton të përsërisë të njëjtat fjali, me të njëjtat fytyra, dhe gjithçka do të ndryshojë vetvetiu.
* * *
Por votuesit nuk janë naivë. Ata e ndiejnë kur një parti flet nga lart-poshtë, kur u mban leksione në vend se t’i dëgjojë. Ata e shohin kur një parti e ka më të rëndësishme ta mbrojë egon sesa ta pranojë dështimin. Dhe e ndëshkojnë. Jo nga inati, por nga lodhja e akumuluar ndër vite.
LDK’ja sot ngjan me njeriun që bie në baltë, por në vend se të ngrihet e të pastrohet, fillon të mburret se balta është e pastër dhe se të tjerët nuk e kuptojnë modën e re. Edhe të dhjerë, edhe krenarë – shprehje brutale, por fatkeqësisht shumë e saktë për gjendjen shpirtërore politike që po e përfaqëson.
Nuk ka asgjë të keqe të humbasësh. Politika është ciklike. Partitë bien dhe ringrihen. Por, ka diçka thellësisht të gabuar të humbasësh dhe të mos mësosh asgjë. Të humbasësh dhe të dalësh para publikut me të njëjtën vetëkënaqësi. Të humbasësh dhe të sillesh sikur problemi është gjithmonë diku jashtë teje.
Nëse LDK’ja dëshiron të mbetet forcë relevante, duhet të nisë nga e vërteta e thjeshtë: humbja është faji i saj. Jo i votuesit, jo i rrethanave. Derisa ta pranojë këtë, do të vazhdojë të humbasë me krenari boshe. Dhe krenaria boshe, në politikë, është forma më e sigurt e zhdukjes.