Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar pas sulmit të sotëm ku ekipi i TV Dukagjinit është penguar dhe shtyrë fizikisht gjatë ushtrimit të detyrës së tyre gazetareske.
Reagim: Ekipi i Televizionit Dukagjini pengohet gjatë punës në Gjilan
Hyseni e ka dënuar rastin, duke theksuar se liria e medias dhe e shprehjes janë vlera themelore të një shoqërie demokratike dhe nuk duhet të cenohen në asnjë rrethanë.
“Komuna e Gjilanit distancohet plotësisht dhe dënon ashpër incidentin e sotëm, ku u pengua dhe u shty fizikisht ekipi i TV Dukagjini, gjatë kryerjes së detyrës së tyre zyrtare.
Puna e mediave dhe liria e shprehjes janë shtylla të patundshme të një shoqërie demokratike. Sqarojmë se personi i përfshirë në këtë incident nuk është zyrtar komunal.
Ne distancohemi plotësisht nga tendencat e ulëta të uzurpatorëve të pronës publike, konkretisht LDK dhe PDK për ta politizuar këtë ngjarje. Sulmet e tyre propaganduese shpërfaqin vetëm dëshpërimin e tyre politik.
Ekipit të TV Dukagjini dhe të gjithë komunitetit të gazetarëve u shprehim mbështetjen tonë të plotë në realizimin e detyrave të tyre profesionale!”, ka shkruar Hyseni.
