Intervistë I Një grua e fortë që dhuron e vetme “dashuri, strehë e jetë” për dy fëmijët e saj
Në një botë të ngarkuar me sfida dhe mundësi, rruga e një nëne vetushqyese shpesh është një ngjarje e jashtëzakonshme e përpjekjes dhe forcohet nga një dëshirë e pashuar për të siguruar një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e saj. Kjo është një histori e vërtetë e përqendrimit, përkushtimit dhe kreativitetit […]
Në një botë të ngarkuar me sfida dhe mundësi, rruga e një nëne vetushqyese shpesh është një ngjarje e jashtëzakonshme e përpjekjes dhe forcohet nga një dëshirë e pashuar për të siguruar një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e saj.
Kjo është një histori e vërtetë e përqendrimit, përkushtimit dhe kreativitetit të nënës ndaj fëmijëve të saj e që shërben si burim inspirimi për të gjithë ne.
Aida Jamini është një grua eve dhe nënë vetushqyese për dy djemtë e saj, Omarin dhe Merisin. Ajo në një intervistë për Portalin Dukagjini ka rrëfyer rrugëtimin e saj që prej pesë vite e gjysmë me mungesën e bashkëshortit(Suadit) nga njëra anë dhe kujdesin e dashurinë ndaj fëmijëve të saj nga ana tjetër.

Ajo kujton momentet e para kur bashkëshorti i saj papritmas ndërroj jetë, një ditë para festës së Bajramit si dhe pyetjen e vazhdueshme të djalit të saj të madh se “ku është babi?”.
“Njeriu asnjëherë nuk niset me mendimin që në pesë vjetorin e kurorëzimit, duke bërë muhabet me bashkëshortin lidhur me pushimet verore, ku do marrim bakllavanë sepse të nesërmen ishte Bajram, se si harruam ta merrnim tepihun nga pastrimi kimik, e duke bërë plane se si vitin e ardhshëm do punojmë edhe më shumë që të mund të blinim banesën e të rritemi si familje, që në ato momente do vinte e papritura. Vdekja! Para pesë vite e gjysmë, ku unë dhe bashkëshorti im që atë mëngjes nuk është ndjerë shumë mirë pasi e mori infuzionin dhe u forcua filluam të bënim plane se çfarë do bëjmë atë verë”, kujtoi me mallëngjim Aida.
“Nga një dhimbje e stomakut, buzët e mavijosura e deri tek aparati i cili tregoi vijën e drejtë… ato tri orë ishin orët më të gjata të jetës sime. Thënë shkurt, realiteti ishte tjetërsuar tërësisht dhe ende nuk mund të bindja vetën ani pse isha pranë tij gjithë kohën. Që bashkëshorti nuk është më, që babai i djemve të mi nesër nuk do i zgjojë nga gjumi që të u uroj Bajramin …”.
Ajo kujton edhe momentet e para të pasvdekjes së Suadit, ku vizitat e familjarëve dhe dashamirëve si dhe thirrjen e djalit të madh “dua babin, ku është babi”.
“Të nesërmen njerëzit hynin e dilnin, të gjithë në shok të madh për humbjen e djalit, vëllaut, babit, bashkëshortit, dhëndrit e shokut, kaq papritur e unë tek në momentin kur djali im i madh nisi të qaj e të kërkoj me krejt za që ka “dua babin, ku është babi” tek ne ato momente e kam kuptu që tani jam edhe nënë edhe babë”.
“Faj” dhe “tronditje”
Madje ajo ndihet “në faj” për ngjarjen që e “tronditi” fort atë.
“Askush dhe asgjë nuk të përgatit për të papriturën, sepse rritesh me idenë se do të plakesh afër personit të zemrës e rrethuar me nipa dhe mbesa dhe jo te mbetesh një nënë e dy fëmijëve të vegjël, që njëri sapo ka mbushur tri vjet dhe tjetri do ti bënte 5 vite. Askush nuk të përgatit, e as ata filmat nuk ta japin ndjesinë e përhumbjes e një dimensioni tjetër kohor që brenda 3 orëve të duket një përjetësi e tërë, që në moshën 32 vjeçare bashkëshorti yt do vdesë”, shtoi Jamini.
Nga vdekja e bashkëshortit, ajo mori mbi supe epitetin babë përpos epitetit nënë që ka, për dy fëmijët e saj, por Jamini është shprehur që ndjehet “e diskriminuar” nga ligjet e Kosovës, pasi që nuk është kategori ligjore si “e ve me fëmijë”, d.m.th. që vdesë njëri nga bashkëshortet, dhe kujdeset për fëmijë”.
Jamini ka theksuar se Qeveria e Kosovës, tash në muajin janar ka vendosur të krijojë fond për subvencionimin e energjisë elektrike si prind i vetëm.
“Si një grua e ve nuk jam kategori ligjore dhe si e tillë nuk kam ndonjë benefit institucional. I vetmi benefit që kisha ishte derisa djemtë ishin të vegjël që një vit mund të i dërgoja në çerdhe publike pa pagesë. Shteti i ka bërë disa kategori lehtësuese me ndihmat ekonomike qoftë për subvencionimin e energjisë elektrike apo ngrohjes me nxemje, nuk më përkasin mua ngase nuk jam kategori ligjore si e ve, pa bashkëshort dhe me dy fëmijë. E vetmja mbështetje institucionale është 20 euro shtesa për fëmijë”, ka thënë Aida Jamini.
Çdo moment e ndjekur nga përgjegjësia dhe sakrifica
Aida Jamini është shprehur se si nënë vetushqyese dhe në marrëdhënie pune përballet e vetme me të gjitha forcat e jetës që e godasin vazhdimisht, për t’u kujdesur për dy fëmijët, që i ka “amanet” nga bashkëshorti i saj, tashmë i ndjerë Suadi.
“Lista është e gjatë, por edhe varet edhe prej rrethanave, tani mund të kem situatën time komplet të ndryshme nga plotë gra të tjera të cilat janë të veja, pastaj edhe m’varet edhe nga mosha e fëmijëve po edhe nga vetë gjinia. Me fjalë të tjera ka aq shumë faktorë të cilët ndikohen në vështirësitë e të qenurit një nënë vetushqyese dhe e ve. Vështirësia më e madhe janë momentet kur sëmuren djemtë në veçanti djali i madh, i cili që nga lindja ka pasur probleme dhe kur duhet të trajtohet në spital, duhet të mobilizoi nënën për kujdesjen ndaj djalit të dytë”, ka thënë Jamini.

Por edhe bullizimi i fëmijëve të saj nga rrethi i fëmijëve dhe prindërve të tjerë është edhe një problem tjetër, që Jaminin e shqetëson shumë.
“Pastaj janë ngacmimet e fëmijëve qoftë në qëndrime ditore ose në objektet e shkollës, duhet të matem si prinde se si të sillem me prindërit e fëmijëve të tjerë sepse kohët kanë ndryshuar nga ato kohë kur ne ishim fëmijë. Kujdesem shumë që të mos reagoj në asnjë mënyrë që mund të dëmtoj si fëmijët por edhe mua. Tingëllon më tmerrshëm se që është, por duke parë mençurinë e fëmijëve, prindërit janë bërë “mbrojtës” ndaj fëmijëve të vet, dhe loja e kartës së kërkimfaljes është prezente pavarësisht që fëmijët e mi janë ata që janë lënduar nga të tjerët”, është shprehur ajo.
“A është tash daja babi ynë”
Se si e pranojnë faktin që babai i tyre ka vdekur, Aida Jamini ka thënë se fëmijët e saj, Omari dhe Merisi e kanë vuajtur shumë që babai i tyre nuk është në mesin e tyre, dhe afërsia e tyre me vëllain e nënës së tyre ka bërë që të dy djemtë e saj të i drejtohen me pyetjen se “a është tash daja babi ynë”.
“Shpesh ndodh që të ndjehen keq kur i shohin shokët e shoqet me baballarët e vet dhe japin komente si ‘Do doja që babi të ishte gjallë’ apo ‘Pse është dashur babi të vdes’, nuk mendoj që është xhelozi nga ana e tyre por thjeshtë keqardhje për fatin që iu takoi, mërziten edhe me faktin që punoj dhe atyre iu duhet të qëndrojnë në qëndrim ditor e jo të kalojmë më shumë kohë bashkë”, ka thënë Jamini për Portalin Dukagjini.















