Intervistë me Arian Mavriqi| Mrekullitë e botës së egër të Kosovës, në sytë e gjithë botës

Të jesh fotograf i botës së egër nuk është e lehtë, kjo pasi kërkohet durim dhe përqendrim, një gjë të tillë e thotë edhe fotografi Mavriqi. Ky profesion mund të duket i lezetshëm pasi mund të udhëtosh në vende të ndryshme, të shohësh lloje të ndryshme të kafshëve, e mbi të gjitha të shkrepësh fotografi që të gjithë do t'i pëlqejnë. Këtë po e bën njëri ndër fotografët dhe eksploruesit e botës së egër në Kosovë, Arian Mavriqi, fotografitë e të cilit së fundi kanë zënë vend edhe në Konsulatën në Kopenhagë dhe shumë shpejt do të shfaqen edhe në atë të Bernit

Ilustrim

Arian Mavriqi nga Kamenica është fotografi më i njohur në Kosovë, i cili kap momentet e botës së egër dhe arrin t’i prezantojë ato te shikuesit. I përkushtuar në syrin e aparatit, Mavriqi audiencën e tij po e njofton çdo ditë me kafshë të llojllojshme.

Në një intervistë për Portalin Dukagjini, Mavriqi ka shpalosur më shumë rreth pasionit të tij dhe dashurisë që ka për profesionin e tij.

Një pasion që u shndërrua në profesion. Arian Mavriqi merret me fotografi që nga viti 2012.

Dhjetë vjet eksperiencë me fotografitë e botës së egër janë ato që flasin shumë për Mavriqin, megjithatë edhe pas dhjetë vjetësh, sipas tij, ndjenja dhe dashuria për fotografitë dhe xhirimet janë të njëjta.

Jo për secilin prej nesh mëngjesi agon njëjtë. Të flesh me një ëndërr dhe të zgjohesh me një qëllim është karakteristika e Mavriqit. Kjo për shkak se mëngjesi për Mavriqin fillon në orën 5 e 30. Me aparat në dorë dhe me synimin që çdo ditë të fotografojë kafshë të ndryshme, ai niset drejt maleve.

Fotografi e realizuar nga Arian Mavriqi

“Suksesi më i mirë në fotografi, sidomos në botën e egër, është në mëngjeset e hershme”, ka thënë ai.

I pyetur se cila ka qenë fotografia e parë të cilën e ka realizuar, fotografi ka treguar se ishte një zog i quajtur Mellenja.

Fotoilustrim, realizuar nga fotografi Mavriqi

Mavriqi theksoi se, që nga fotografia e parë, për asnjë moment nuk i është ndarë punës së tij, të cilën synon ta vazhdojë edhe gjatë kohë.

Jo gjithmonë fillimet në karrierë janë perfekte, edhe kamenicasi kishte filluar të fotografonte me telefon të tipit Samsung Galaxy S4, mirëpo më vonë kishte blerë aparatin e njohur Canon, me anë të të cilit po e shfaq artin e tij dhe syrin kritik, e përmes të cilit kap momentet më interesante të botës së egër.

Por, ajo që e karakterizon Mavriqin, krahas punës, syrit të artistit dhe dorës magjike për realizimin e këtyre fotografive është edhe pjesëmarrja në evente të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Madje, ai edhe ka fituar çmime të ndryshme për punën e tij.

Mavriqi ka treguar për Portalin Dukagjini se në vitin 2018 ka zënë vendin e parë në Shqipëri për foton më të mirë në Wiki Love Monuments.

Gjithashtu, vendin e parë në Kosovë në garën e organizuar nga UNDP, duke shtuar këtu faktin se ka fituar çmime edhe nga MPH.

Krahas këtyre, ai është zgjedhur edhe si juri në dy raste; si juri profesionale në Ministrinë e Jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë dhe juri profesionale në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor në Kosovë.

Të interesuarit dhe të apasionuarit pas fotografisë, realizimet fotografike të Mavriqit kanë pasur mundësi t’i shohin edhe përmes ekspozitave që ka realizuar në Kosovë, Shqipëri, Londër dhe Afrikë.

Fotoilustrim

Gjithashtu, i pyetur se në cilat vende i realizon më shumë fotografitë, ai ka bërë të ditur se i realizon në Kosovë, Shqipëri, Londër, Afrikë dhe Gjermani, duke theksuar se dëshira e tij është ekzistenciale edhe për fotografi në shumë vende të botës.

“Kam realizuar foto në Londër, Afrikë, Gjermani, Shqipëri dhe pretendoj të vizitoj edhe shumë vende të botës”, ka theksuar ai.

Ilustrim

Në nëntor dhe dhjetor të vitit 2022, fotografitë e Mavriqit u ekspozuan në Suedi dhe Zvicër.

Fotografi kamenicas pritet që shumë shpejt ta plasojë edhe një libër.

Bëhet fjalë për një libër me fotografitë e realizuara nga ai, të dhëna për jetën, për arritjet e tij, libër ky të cilin Mavriqi e cilëson si të parin të këtij formati në Kosovë.

“Besoj do të jetë libri i parë i këtij formati në Kosovë, por edhe më gjerë”, ka thënë Mavriqi.

Mavriqi tutje ka shtuar se ndihet shumë mirë dhe i kënaqur me punën të cilën e bën dhe do të vazhdojë edhe për shumë vjet të realizojë fotografi të botës së egër dhe në të njejtën kohë t’ia prezantojë atë botë publikut.

Fotoilustruese

Ai ka theksuar se ka arritur të fotografojë specie të cilat nuk ekzistojnë as në të dhëna shtetërore, ndër to është Shqiponja peshkngrënëse dhe Kojliku i zi.

Ilustrim
Ilustrim

Ky lloj i fotografive po bëhet gjithnjë e më tërheqës, veçanërisht në Kosovë, ku dokumentimi i botës së egër është më i vonshëm.

Kështu, Televizioni Publik i Kosovës (RTK), i ka ofruar Mavriqit një hapësirë televizive për të shfaqur pamjet e tij para publikut. Këtë ai e bën në dokumentarin që shfaqet çdo të premte nga ora 18:45, i njohur si dokumentari për Botën e Egër.

Në nder të festave të 28 Nëntorit, ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Kopenhagë ishin mbushur me imazhe të natyrës shqiptare.

Për të shënuar 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 2022), Ambasada e Shqipërisë në Kopenhagë bashkë me Konsullatën e Kosovës atje, kanë hapur ekspozitë me fotografitë e realizuara nga Mavriqi.

Fotografi i njohur i botës së egër ndër troje shqiptare, por edhe përtej tyre, ka dërguar copëza të gjeografisë së Kosovës e të Shqipërisë në kryeqytetin danez.

Fotografitë e Arian Mavriqit që shpërfaqin natyrën shqiptare shënojnë 28 Nëntorin në Kopenhagë

Më 2 dhjetor të vitit 2022, Mavriqi ka prezantuar fotografitë e tij në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bern.

Ajo që duhet theksuar për Mavriqin është fakti se ka ngritur në diskutim mbrojtjen e të drejtave autoriale të fotografive të tij. Kjo për arsyen se në një libër shkollor janë paraqitur pamjet e tij por jo edhe emri. Kësisoj, Mavriqi ka vendosur që çështjen ta dorëzojë në Gjykatë.

Gjykata Komerciale e ka vendosur masën e sigurimit sa i përket procedurës kontestimore, ku fotografi ka paditur shtëpinë botuese për përdorim të fotografive pa të drejtë autoriale.

Njashtu, ai kishte kërkuar masë të sigurimit deri në përfundim të çështjes kontestimore.

Rastin e parë e ka fituar, dhe ky është rasti i parë që vendoset masë e sigurimit prej që në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta më 2011.

Sipas Aktvendimit të publikuar nga Mavriqi, shtëpisë botuese i është ndaluar ribotimi i librit dhe shpërndarja deri në zgjidhjen e procedurës kontestimore.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika